Kryeministri Edi Rama foli sot më 22 tetor nga Budva, ku është i pranishëm në Samitin e Liderëve në Procesin e Berlinit.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se është tepër i lumtur që ndodhet në Malin e Zi, teksa shtoi se Shqipëria vazhdon të bëjë hapa përpara.
“Jam i lumtur që ndodhem në Malin e Zi. Është i vetmi shtet, ku ndërsa flet, helikopterët kalojnë mbi kokën tënde. Ndihem mirë që jemi sërish këtu për Procesin e Berlinit.Këtë vit po zhvillohet në këte vend të jashtëzakonshëm. Jam i lumtur të vijoj me miqtë që janë në pritje”, tha Rama.
Në Samitin e Liderëve në Procesin e Berlinit që po mbahet në Malin e Zi janë të pranishëm liderë shtetërorë nga vendet e Ballkanit.
I pranishëm është edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz.
Ky i fundit ka komentuar edhe protestat në Shqipëri dhë në rajon. Merz nënvizoi se protestat janë mesazh se zgjerimi i bllokut të BE-së duhet të vazhdojë.
“Ne jemi duke parë protestat që zhvillohen në Shqipëri dhe më gjerë. Janë një mesazh, se zgjerimi i Bashkimit Europian duhet që të vazhdojë”, u shpreh Merz.
Kancelari i Gjermanisë theksoi se dhuna nuk ka qenë dhe nuk është asnjëherë zgjidhje për asnjë situatë.
Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian u mblodhën sot në Miloçer, pranë Budvës, në Mal të Zi, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.
Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për perspektivën europiane të rajonit, me fokus bashkëpunimin mes vendeve dhe reformat që nevojiten për avancimin drejt anëtarësimit në BE.