Sindikata e punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë shprehu sot solidaritetin e plotë me studentët në protestat e tyre, si një shprehje legjitime e së drejtës kushtetuese për t’u organizuar dhe për të protestuar.
Në një njoftim për shtyp, Sindikata thekson se “e konsiderojmë zërin e studentëve një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, që meriton të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet”.
Sindikata shpreh indinjatën e saj për përdorimin e dhunës nga forcat e rendit ndaj protestuesve dhe u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse për vetëpërmbajtje, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe garantimin e ushtrimit paqësor të së drejtës për protestë.
“Vlerësojmë se përshkallëzimi i situatës është pasojë e mungesës së reagimit dhe e neglizhimit të kërkesave të qytetarëve nga Qeveria dhe politika në tërësi. Edhe pas një proteste maratonë prej 135 ditësh, kërkesat qytetare dhe ato të studentëve nuk kanë marrë përgjigjen dhe vëmendjen e duhur. Mungesa e dialogut dhe e vullnetit për zgjidhje rrezikon të thellojë më tej mosbesimin ndaj institucioneve”, thekson Sindikata.
Sipas saj, nuk është rastësi që studentët zgjodhën të protestojnë pikërisht para Ministrisë së Arsimit.
“Heshtja që studentët hasën sot në rrugë është e njëjta heshtje që personeli akademik has prej muajsh në korrespondencën institucionale. Ajo që ndodhi sot para Ministrisë së Arsimit është, mbi të gjitha, simboli i një marrëdhënieje të prishur mes institucionit dhe komunitetit që ai duhet t’i shërbejë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Sindikatës së Universiteteve.
Sindikata vlerëson se Universiteti nuk mund të jetë spektator i heshtur kur studentët e tij kërkojnë dinjitet.
Sindikata e Universiteteve u bën thirrje të gjithë pedagogëve, kërkuesve shkencorë, punonjësve të universiteteve dhe gjithë komunitetit akademik që të ngrenë zërin dhe të qëndrojnë krah studentëve.
“Kërkesat për arsim cilësor, për kushte dinjitoze studimi dhe pune, si dhe për një trajtim të drejtë të problemeve të arsimit të lartë, nuk janë çështje të veçuara. Ato janë kauza jonë e përbashkët. Sindikata i bën thirrje Qeverisë dhe të gjithë aktorëve politikë që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen menjëherë në një proces real dialogu, me qëllim shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave të studentëve dhe të personelit akademik. Përgjigjet formale, heshtja apo shtyrja e mëtejshme e zgjidhjeve nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë institucionale dhe politike”, thekson Sindikata.
Sindikata u shpreh se “nëse konfigurimi aktual politik nuk arrin të marrë përsipër zgjidhjen e problemeve të ngritura nga studentët, pedagogët dhe qytetarët, atëherë duhet të hapet rruga për zgjidhje politike që mundësojnë kapërcimin e krizës, në përputhje me parimet demokratike dhe vullnetin qytetar”.
Sindikata e Universiteteve rithekson se dialogu, përgjegjësia institucionale dhe zgjidhja konkrete e kërkesave janë e vetmja rrugë për të kapërcyer situatën e krijuar.
