Një 23-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia Kufitare e Shkodrës, pasi dyshohet se transportonte kundrejt pagesës shtatë shtetas të huaj, nga Filipinet dhe Afganistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, arrestimi i shtetasit L. M., banues në Urën Vajgurore, u krye në kuadër të operacionit të koduar “Transit 4”, të organizuar për goditjen e rasteve të dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Gjatë kontrolleve në aksin rrugor Vukpalaj–Aliaj, shërbimet e Policisë Kufitare ndaluan automjetin që drejtohej nga 23-vjeçari. Në të u gjetën shtatë shtetas të huaj, pesë nga Filipinet dhe dy nga Afganistani.
Automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
