📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

✕
🌙 Dark
⚫ Contrast
🔄 Invert
⚪ Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
Madridi proteste

Thirrja “Greva e përgjithshme tani!” ka përfshirë Madridin dhe dhjetëra qytete të tjera në Spanjë, ku mijëra qytetarë kanë protestuar kundër krizës së strehimit dhe rritjes së kostove të qirave.

Protestat vijnë pas rrëzimit në Kongresin e Deputetëve të dy dekreteve të qeverisë së kryeministrit Pedro Sánchez për strehimin. Dekretet u kundërshtuan nga një shumicë e përbërë nga Partia Popullore, Vox dhe Junts per Catalunya.

Në Madrid, sipas prefekturës, rreth 70 mijë persona morën pjesë në marshim, ndërsa Sindikata e Qiramarrësve e vlerësoi numrin në më shumë se gjysmë milioni. Protestuesit brohoritën “Turp!” dhe “Spekulantët jashtë lagjeve tona!”, ndërsa marshuan drejt Plaza Cibeles.

Protesta të ngjashme u zhvilluan në më shumë se 50 qytete, nga Bilbao në Malaga, Alicante, Palma de Mallorca dhe Ishujt Kanarie.

Momente tensioni u shënuan në Valencia, ku protestuesit tentuan të çanin kordonin e policisë pranë Palau de las Artes, ku po zhvillohej një kongres i sektorit të pasurive të paluajtshme. Policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome. Të paktën pesë persona u arrestuan, ndërsa nëntë efektivë u plagosën.

Në qendër të protestave është kërkesa për masa konkrete ndaj krizës së strehimit. Sindikata e Qiramarrësve kërkon kufizimin e qirave, ndalimin e dëbimeve të personave në nevojë, frenimin e spekulimeve me pasuritë e paluajtshme dhe kufizimin e zgjerimit të qirave turistike.

Qeveria Sánchez ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të miratuar një paketë të re masash për strehimin, pas humbjes në Kongres.

Ndërkohë, kriza po ndikon edhe në debatin politik për zgjedhjet e ardhshme. Sánchez ka lënë të hapur mundësinë e shpërndarjes së dy dhomave të Parlamentit dhe thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme, megjithëse mandati aktual përfundon në korrik 2027.

Sondazhet tregojnë se Partia Popullore do të ishte aktualisht forca e parë politike me rreth 33% të votave, e ndjekur nga PSOE me 26% dhe Vox me 18%. Projekcionet i japin PP-së 137 vende, PSOE-së 107 dhe Vox-it 62, çka do t’u siguronte dy forcave të djathta së bashku 199 deputetë, përtej shumicës absolute prej 176 mandatesh.

Megjithatë, çështja e strehimit mund të ndryshojë axhendën politike. Një sondazh i 40dB për “El País” dhe “Cadena SER” tregon se 67.5% e spanjollëve mbështesin kufizimin e çmimeve të qirave. Mbështetja për këtë masë kalon edhe 55% mes votuesve të Partisë Popullore dhe Vox-it.

Ndërkohë, 82.4% e të anketuarve mbështesin rritjen e ofertës së strehimit social, ndërsa deri në 75% janë në favor të masave për shtyrjen e dëbimeve të personave në nevojë dhe kufizimin e rritjes së qirave.

“Masat së pari, pastaj zgjedhjet”, deklaroi ish-ministrja Irene Montero, duke kërkuar një dekret të ri për uljen e qirave dhe ndalimin e spekulimeve.

Në përfundim të protestës në Madrid, zëdhënësja e Sindikatës së Qiramarrësve, Valeria Racu, deklaroi: “Rruga është e qartë dhe është një grevë e përgjithshme”.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights