Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se Shqipëria dhe Mali i Zi janë aktualisht në grupin e vendeve që kanë bërë më shumë përparim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Kos tha se procesi i zgjerimit të BE-së po shënon këtë vit më shumë rezultate se në 25 vitet e fundit. Sipas saj, pas Shqipërisë dhe Malit të Zi vijnë Moldavia dhe Ukraina, ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut procesi është ende në faza më të hershme. Serbia, sipas saj, mbetet një rast më vete.
Kos tha se aktualisht ekziston një “dritare mundësie” për zgjerimin e BE-së dhe se ajo mund të qëndrojë e hapur edhe përtej fundit të këtij viti. Megjithatë, ajo paralajmëroi se vitin e ardhshëm në disa vende të mëdha evropiane, përfshirë Italinë, do të zhvillohen zgjedhje.
Sipas komisioneres evropiane, BE-ja përballet edhe me një sfidë gjeopolitike. Lufta e Rusisë në Ukrainë, paqëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor dhe konkurrenca për ndikim me vende si Kina e bëjnë zgjerimin një çështje të rëndësishme për Evropën.
Kos theksoi se vendet kandidate duhet të përmbushin kriteret dhe të zbatojnë reformat e kërkuara, por edhe vetë BE-ja duhet të përgatitet për një zgjerim të ardhshëm. Ajo përmendi Malin e Zi si një vend që mund të përmbushë të gjitha kriteret deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Sa i përket Ukrainës, Kos tha se data 1 janar 2027, e vendosur si objektiv nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, nuk është e realizueshme. Ajo nënvizoi se anëtarësimi në BE bazohet te meritat dhe përmbushja e kritereve dhe se nuk ka privilegje apo standarde më të ulëta për vendet kandidate.
Megjithatë, sipas saj, Ukraina po zhvillon një luftë për mbijetesë dhe për këtë arsye BE-ja ka detyrimin ta ndihmojë. Kos shpreson që deri në fund të këtij viti të hapen sa më shumë kapituj negociatash për Ukrainën.
Komisionerja foli edhe për idenë e integrimit gradual të vendeve kandidate, duke theksuar se kjo nuk duhet të shihet si një zëvendësim i anëtarësimit të plotë. Sipas saj, vendet që bëjnë përparim në reforma mund të përfitojnë nga një afrim më i madh me BE-në edhe përpara anëtarësimit.
Në lidhje me Serbinë, Kos u shpreh kritike për glorifikimin e kriminelëve të luftës, mohimin e gjenocidit dhe atë që ajo e cilësoi si revizionizëm, duke iu referuar edhe funeralit të Ratko Mlladiçit. Ajo tha se Serbia duhet të tregojë me vepra, dhe jo vetëm me fjalë, se sa serioz është angazhimi i saj për rrugën drejt BE-së.
Për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, Kos vlerësoi rolin e Italisë në mbështetjen e procesit të zgjerimit. Ajo tha se Italia ka marrëdhënie të mira me vendet e rajonit dhe se mbështetja politike e vendeve anëtare është e domosdoshme për të çuar përpara procesin.
Në intervistë, Kos foli edhe për reformimin e vetë Bashkimit Evropian në mënyrë që ai të funksionojë me një numër më të madh vendesh anëtare. Ndër propozimet e diskutuara është thjeshtimi i procedurave të vendimmarrjes dhe, në disa fusha, kalimi nga unanimiteti në votimin me shumicë të cilësuar.
