Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokuroria e Përgjithshme e shoqatat e magjistratëve, bojkotuan thirrjen e kryeministrit Edi Rama për të diskutuar bashkërisht për një skemë të rë për përllogaritjen e pagave të magjistratëve.
Pozitivisht ftesës i është përgjigjur vetëm kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi. Në këto kushte, mbledhja e planifikuar për sot në mesditë, u anulua.
Kryeministria në një njoftim, sqaron se nga nesër, do të vijojë puna për hartimin e një ligji të ri për pagat e magjistratëve, ndërsa pritet një dakordësim mes aktorëve të drejtësisë dhe qeverisë për caktimin e një date të përshtatshme për vijimin e dialogut.
“Duke ju falënderuar për komunikimin dhe sqarimet e përcjella lidhur me kërkesën për shtyrjen e takimit të sotëm, mirëkuptojmë këtë kërkesë, ndonëse vlerësojmë se dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë mbetet i rëndësishëm dhe, në parim, i pavarur nga procese të tjera që mund të zhvillohen paralelisht.
Në çdo rast, mbetemi të hapur për vijimin e dialogut dhe për dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimit. Dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtrim i përgjithshëm, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, mbetemi në pritje të dakordësimit për një datë të përshtatshme për vijimin e dialogut”, thuhet në reagimin e kryeministrisë.
Ka qenë Gjykata e Lartë me në krye Sokol Sadushin, i cili publikisht tha se për aq kohë sa kjo çështje është në duart e Gjykatës Kushtetuese, diskutimet në kanë efekt, por vetëm pasi GJK të shprehet me një vendim.
“Pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, shkruan kreu i GJL në përgjigjen e tij.
Të njëjtin argument ka dhënë në kthimin e Përgjigjes dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë si dhe Shoqata e Gjyqtarëve.
“Megjithatë, në rrethanat aktuale, kur çështje që lidhen drejtpërdrejt me standardin kushtetues të pagës së magjistratëve janë bërë objekt i një procesi tashmë të iniciuar pranë Gjykatës Kushtetuese, Shoqata vlerëson se nuk do të ishte e përshtatshme pjesëmarrja e saj në një diskutim institucional mbi të njëjtën çështje përpara përfundimit të këtij procesi. Vendimmarrja kushtetuese pritet të qartësojë parametrat brenda të cilëve mund të zhvillohet më tej një diskutim i plotë dhe konstruktiv për mekanizmin e trajtimit financiar të magjistratëve”.
Shoqatat theksojnë se ky qëndrim, nuk mbyll hapësirën për dialog të mëvonshëm institucional mes palëve.
“Për këtë arsye, Shoqata çmon se diskutimi i propozuar mund të zhvillohet në një moment të mëvonshëm, pasi të jetë qartësuar kuadri kushtetues përkatës. Ky qëndrim nuk përbën tërheqje nga dialogu institucional dhe as kufizim të gatishmërisë sonë për të kontribuar në diskutime që synojnë përmirësimin e qëndrueshëm të funksionimit të sistemit gjyqësor”, thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Gjyqtarëve.
Më 17 shtator, Kuvendi miratoi formulën e re për përllogaritjen e pagave të magjistratëve të Shqipërisë. Drafti për rritjen me 2% sa paga e presidentit. Debati për pagat mes sistemit të drejtësisë dhe qeverisë vijon prej vitesh.
Qeveria vendosi të bllokojë në Thesarin e Shtetit rrogat e muajit gusht për çdo punonjës në sistem ndërsa zgjidhja iu dha vetëm në Kuvend me miratimin e formulës së re. Ishte Kushtetuesja që detyroi Kuvendin të hartonte një tjetër formulë përllogaritje. Por kur Kuvendi tejkaloi afatet, KLGJ e KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.
