Tiranë – Shqipëria po kërkon të orientojë ekonominë drejt një modeli më të qëndrueshëm, ku investimet në mjedis, menaxhimin e burimeve natyrore dhe përdorimin e teknologjisë të shërbejnë edhe si bazë për zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Japoninë po konkretizohet përmes një projekti të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), që përfshin ndërhyrje për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë në pellgun ujëmbledhës të Bovillës.
Kryekëshilltari i projektit të JICA-s, Yuta Morikawa, e ka cilësuar zonën e Bovillës si një mundësi për të demonstruar një qasje të re në menaxhimin e territorit dhe burimeve natyrore.
Rezervuari i Bovillës është një burim ujor me rëndësi strategjike për Tiranën dhe zonat përreth, ndërsa pellgu ujëmbledhës përballet me degradimin e tokës, erozionin dhe transportin e sedimenteve.
Në dy zona pilot pranë Zall-Bastarit janë ndërthurur masat strukturore për kontrollin e erozionit me rehabilitimin e vegjetacionit dhe restaurimin ekologjik.
Sipas ekspertit teknik të projektit, Daisuke Yumiyama, ndërhyrjet kanë përfshirë prita me gabiona në kanalet më të mëdha, prita dhe taraca me material drusor në kanalet më të vogla, masa për mbrojtjen sipërfaqësore të tokës, mbjellje dhe rrethim perimetrik.
Këto masa synojnë të ulin shpejtësinë e rrjedhjes së ujit në sipërfaqe, të kufizojnë erozionin dhe transportin e sedimenteve, si dhe të krijojnë kushte për zhvillimin e vegjetacionit.
Punimet në zonat pilot kanë përfunduar dhe projekti ka hyrë në fazën e monitorimit dhe mirëmbajtjes. Sipas inxhinierit Saimir Hoxha, kjo fazë është e rëndësishme për të vlerësuar jo vetëm qëndrueshmërinë e strukturave, por edhe zhvillimin e vegjetacionit dhe ndërveprimin e masave strukturore me ato biologjike.
Ndërkohë, bashkëpunimi Shqipëri-Japoni përfshin edhe forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e zjarreve në pyje përmes Sistemit Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje, NFFIS.
Sistemi është ndërtuar si një platformë kombëtare WebGIS, e cila integron të dhëna gjeohapësinore dhe informacione nga burime të ndryshme për të mbështetur institucionet në parandalimin, monitorimin dhe menaxhimin e zjarreve në pyje.
Përveç bashkëpunimit teknik, marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve vijojnë të jenë të përqendruara kryesisht në tregtinë e jashtme. Deri në gusht, Shqipëria ka importuar nga Japonia produkte me vlerë rreth 28 milionë euro, ndërsa eksportet shqiptare drejt tregut japonez gjatë viteve të fundit kanë lëvizur në intervalin rreth 4 deri në 9 milionë euro në vit.
Projekti i JICA-s synon që përmes përvojës japoneze të forcojë kapacitetet vendase dhe të krijojë modele që mund të aplikohen edhe në zona të tjera të Shqipërisë të ekspozuara ndaj erozionit, degradimit të tokës, zjarreve dhe rreziqeve natyrore.



