Një ditë pas plagosjes me armë zjarri të një 31-vjeçari në fshatin Manati të Lezhës, Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të ngjarjes.
Sipas policisë, bëhet fjalë për B. Gj., alias B. V., 47 vjeç, dhe A. V., 23 vjeç, babë e bir, banues në fshatin Tresh të Lezhës. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, rreth orës 13:10.
31-vjeçari u plagos me armë zjarri në rrethana që fillimisht ishin të paqarta.
Pas plagosjes, i riu u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës. Më pas, për shkak të nevojës për trajtim të specializuar, ai u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Tanimë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se plagosja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes 31-vjeçarit dhe dy të dyshuarve.
Ndërkohë babë e bir kishin dërguar një automjet tip “BMW” për riparim dhe konlfikti ka nisur për pagesën e shërbimit. Kjo dyshohet se ka sjellë përplasjen me punonjësin e servisit, e cila më pas ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit.
Me po të njëjtën makinë, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia vijon punën për kapjen e tyre.
