Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi mori pjesë në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm, një nga eventet më të mëdha botërore për transportin, që zhvilloi punimet në Kinë.
Në fjalën e mbajtur në këtë forum, Karakaçi shprehu rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror global për sa i përket transportit.
Ministri theksoi se Shqipëria është vend i vogël, por nyje strategjike në dy korridore evropianë, Korridori VIII dhe Korridori Adriatiko-Jonian.
Për sa i përket Korridorit VIII, Karakaçi bëri të ditur se tashmë është në përmbyllje gara për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë dhe brenda muajit nëntor pritet shpallja e fituesit.
Ndërkohë sipas tij, vazhdon puna me ritëm për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë.
“Edhe segmentet e para të bajpasit të Elbasanit tashmë janë kontraktuar dhe filluar nga puna”, shtoi ai.
Për sa i përket Korridorit Adriatiko-Jonian, Karakaçi informoi se “jemi në fazën përmbyllëse të garës për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit”.
“Investim rreth 360 milionë euro që pritet të fillojë nga ndërtimi në fillim të vitit 2027. Për sa i përket autostradës Adriatiko-Joniane, po punohet për studimin inxhinierik të segmentit më sfidues, Murriqan-Balldren, që po përgatitet me fonde grant nga Bashkimi Europian dhe pritet të dorëzohet në janar të vitit 2027 në ministri”, u shpreh Karakaçi.
Ndërkohë, ministri informoi se vazhdon puna për finalizimin e kontratës për autostradën Milot-Balldren dhe projektin teknik përfundimtar.
“Kam konstatuar së fundmi shumë paqartësi për këtë projekt. Për të pasur transparencë të plotë mbi këtë projekt shumë të rëndësishëm, të gjitha dokumentet e këtij projekti do të jenë të hapura në platformën e BESËS, Flamingo Mirror, në mënyrë që kushdo që ka interes të bëjë verifikimet e veta”, shtoi ai.
Karakaçi informoi se ditën e sotme do të ketë takime me stafin akademik të Institutit të Teknologjisë në Shangai, nisje e një marrëdhënie bashkëpunimi studimore në fushën e ujësjellës kanalizimeve me këtë qendër ekselence në botë.
