Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend lidhur me arbitrazhin e çështjes “Beccheti”, se nuk ka thënë që nuk e njeh vendimin e Arbitrazhit, por se subjekti në fjalë nuk do të marrë asnjë lek nga shteti shqiptar.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Rama tha se “pavarësisht se partia juaj u angazhua fuqimisht që t’u thoshte shqiptarëve se ai (Francesco Becchetti) mori 100 milionë euro, unë dua t’ju informoj se jo vetëm deri në momentin që ne po flasim ai ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar, por ndërkohë si shumë të tjerë, që kur kapen mbas Shqipërisë padrejtësisht pastaj për një arsye ose tjetër nuk u shkon mbarë jeta, ai sot që flasim, subjekti në fjalë, së bashku me një apo dy nga arbitrat përkatës do të përballen me drejtësinë”.
Kryeministri tha se çështja po ndiqet përmes rrugëve ligjore, duke përmendur se ai ka procese administrative dhe civile, si dhe një proces penal jashtë Shqipërisë. Sipas tij, edhe në Shqipëri SPAK-u ka hapur proces lidhur me subjektin në fjalë.
“Të jesh i sigurt se më herët se sa vonë, të gjitha lekët, ato që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira duke ia marrë Albcontrol-it, do të kthehen në arkën e shtetit shqiptar. Unë nuk kam thënë ‘nuk e njoh vendimin e Arbitrazhit’, unë kam thënë që koha kur lloj-lloj kriminelësh dhe lloj-lloj legenësh mund t’ia merrnin Shqipërisë çfarë të donin ka ikur. Dhe ai do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Këtë kam thënë unë”, vijoi Rama.
