Tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë dërguar në spital pasi një helikopter lajmesh u rrëzua të martën në mbrëmje, 15 shtator, në lagjen Chatsworth të Los Angeles.
Helikopteri u rrëzua pak para orës 19:00 me kohën lokale, mes dy ndërtesave tregtare. Autoritetet lokale thanë se ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në bord dhe emrat e viktimave nuk janë bërë publikë.
Stacioni televiziv NBC Los Angeles konfirmoi se bëhej fjalë për NewsChopper4, helikopterin e përdorur nga stacioni për mbulimin e lajmeve, i cili operonte gjithashtu për Telemundo 52.
Në momentin e aksidentit, helikopteri ndodhej në zonë për të raportuar mbi një aksident të rëndë me autobus.
Pas rrëzimit, zjarri u përhap në katër automjete dhe dy kontenierë magazinimi. Në operacionin e emergjencës u angazhuan më shumë se 70 zjarrfikës, bëri të ditur Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit (LAFD).
Kapiteni i LAFD-së, Branden Silverman, tha se një prej viktimave ndodhej jashtë helikopterit në momentin e rrëzimit dhe u shpall i vdekur në vendngjarje.
Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në NBC4, gazetarja veterane Colleen Williams konfirmoi se helikopteri i përfshirë në aksident ishte ai i stacionit.
“E dinim se ishte një helikopter lajmesh. E dinim se kishim humbur kontaktin me njerëzit tanë atje dhe sapo kemi marrë konfirmimin”, tha Williams.
Disa helikopterë lajmesh ndodheshin në zonën e Chatsworth në momentin e incidentit, pasi po raportonin për një aksident me autobus.
Më herët gjatë së njëjtës ditë, dy persona u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën pasi një automjet SUV u përplas me një autobus të qytetit në Chatsworth.
Pas aksidentit, autoritetet lokale dhe drejtuesit e shtetit shprehën ngushëllimet për viktimat.
Kryebashkiakja e Los Angeles, Karen Bass, tha se ishte “thellësisht e tronditur” nga humbja e jetëve në Chatsworth.
Edhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa falënderoi ekipet e emergjencës për punën në vendngjarje.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB) do të drejtojë hetimin për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rrëzimit.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur se çfarë e shkaktoi aksidentin.
