Pas mbledhjes së qeverisë të zhvilluar këtë paradite, ministrat kanë bërë publike disa prej vendimeve dhe politikave që pritet të zbatohen në periudhën në vijim. Në fokus kanë qenë marrëveshjet e reja me Gjermaninë për investime në energji dhe infrastrukturë, reforma e strehimit, mbështetja për qytetarët përballë rritjes së kostove, si dhe çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe drejtësinë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi miratimin e tre marrëveshjeve me qeverinë gjermane, me një vlerë totale prej 110 milionë eurosh, ku 20 milionë euro janë në formën e grantit. Fondet do të përdoren për rehabilitimin e konvikteve studentore, ndërhyrje në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe digjitalizimin e sistemit të operatorit të transmetimit. Karakaçi foli gjithashtu për politikat e reja në sektorin energjetik dhe krijimin e një fondi për eficencën e energjisë.
“Kemi miratuar sot tre marrëveshje me qeverinë gjermane, 110 mln euro, 20 mln euro grant për tri projekte. 1. Vazhdimi i rehabilitimit të konvikteve të studentëve. 2. Bëhet fjalë për rehabilitimin e termocentralin e Vaut të Dejës. Si dhe programi 3 që përfiton është digjitalizimi i sistemit të operatorit të transmetimit.
Ne kemi disa politika që po përpiqemi të zhvillojmë. Ke përfunduar dy programet e licencave për panele diellore me ujë të ngrohtë. Po bëjmë ndryshimin e ligjit të eficencës së energjisë, aty parashikohet edhe krijimi i një fondi të eficencës së energjisë. Do të ketë një fond që do t’u japë mbështetje qytetarëve dhe bizneseve”, tha Karakacci.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u ndal te reforma e strehimit, duke bërë të ditur se qeveria synon të zgjerojë skemat e mbështetjes përtej kategorive në nevojë. Sipas saj, programi i ri parashikon vënien në dispozicion të 7 mijë apartamenteve, kredi të buta dhe kredi me zero interes, ndërsa për apartamentet me sipërfaqe më të mëdha parashikohet një normë interesi fikse prej 3%. Ibrahimaj tha gjithashtu se do të ketë subvencionim qiraje për 3 mijë apartamente, të destinuara për profesionistët e rinj.
“Diskutuam për nevojën që vendi ka për një reformë për strehimin, jo vetëm për shtresat në nevojë. Kemi pasur disa ndërhyrje, si bonuset e qerave, kemi dhënë kredi të buta për shtëpi, kemi përmirësuar infrastrukturën për zonat e banuara. Para disa javësh shpallëm 300 kredi të buta për administrimin, dje shpallëm programin e përmirësimit të kushteve të banimit. Ky program është kërkuar vazhdimisht nga bashkitë. Përveç atyre që kemi bërë deri më sot, anoncuam reformën e re.
7000 apartamente do të vihen në dispozicion. 4000 kredi të buta dhe 2000 do të jenë me zero interes. Për apartamentet që janë më të mëdha, ne duam të bëjmë politikë të re me 3% interes, normë fikse. Diferencat e normave të interesit do të mbulohen nga fondi kombëtar i strehimit. Planifikojmë se do të bëjmë subvencionim qeraje për 3000 apartamenteve, të dedikuara për profesionistët që sapo kanë mbaruar shkollën. Do t’i mbështesim që t’i garantojmë një fillim më të sigurt të jetesës së pavarur.
Do ndërtojmë edhe blloqe ndërtesash, ku 30% e tyre do të jenë për banesat sociale, 40% për kategorinë e individëve të shtresës së mesme dhe 30% do t’i dedikohet shitjes në treg të lirë. Ka apartamente 60 mijë euro në periferi të Tiranës, sigurisht jo me sipërfaqe të mëdha. Ky program është për profesionistë apo individë që kërkojnë të nisin jetën e tyre, siç ndodh kudo në botë. Sa i përket çmimit të naftës, konflikti në Lindjen e Mesme pritet të zgjasë dhe Bordi i Transparencës është një instrument për periudha jo të gjata për të shmangur abuzimet.
Kemi marrë vendim për të vazhduar subvencionimin për Shoqatën e Transportit. Po kujdesemi për çmimet, do të publikojmë një pasqyrë për çmimet në ndihmë të qytetarëve. Zgjatja na tregon se kjo është një çështje e qëndrueshme dhe në bashkëpunim edhe me FMN na kanë këshilluar që ndërhyrje të tilla duhet të jenë të përkohshme. Kujdesi për atë kategori qytetarësh që nuk mund t’i përballojnë këto kosto, ne kemi iniciativa, subvencione me ushqimet dhe për transportin”, u shpreh Ibrahimaj.
