Pagat e pedagogëve dhe kërkesat e studentëve për mbështetje me një fond mujor prej 100 euro, ishin dy nga temat e nxehta të diskutimit ditën e djeshme në Parlament, me ministres e Arsimit Evis Kushi që i parapriu debatit, duke lajmëruar një takim të parashikuar për t’u zhvilluar sot në orën 15:00 në ambientet e MAS.
Teksa deputetët e opozitës me argumentet e tyre tentuan ta vendosin me shpatulla pas murit sa i përket mungesës së indeksimit të pagave dhe lënien e pedagogëve dhe mësuesve pa mbështetje përballë inflacionit dhe krizës ekonomike, Kushi u mbrojt duke thënë se në lidhje me pagat e pedagogëve kanë nisur diskutimet me rektorët që në muajin gusht.
“Në datën 22 Gusht, në Ministrinë e Arsimit, ne kemi zhvilluar një takim me rektorët dhe administratorët e universiteteve, madje bashkë me ministren e Financave pikërisht për çështjen e pagave të pedagogëve, por edhe për çështje të tjera financiare.
Çfarë vendime do marrim nuk mund ta them që tani, e rëndësishme është që ne e kemi këtë çështje në vëmendje, e konsiderojmë shumë të rëndësishme në varësi të shumë faktorëve që lidhen me situatën ekonomike, sigurisht do kemi dhe një vendimmarrje”, tha Kushi në Kuvend.
Ndërkohë pak minuta më parë, ashtu siç edhe ministrja kishte deklaruar në ambientet e MAS janë paraqitur një numër i konsiderueshëm pedagogësh.