Kryetarë dhe përfaqësues të komunave të Kosovës janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e thirrur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Protestës i janë bashkuar edhe drejtorët e zyrtarët tjerë të Komunës së Prishtinës.
Protesta është organizuar me kërkesën për ruajtjen e autonomisë së qeverisjes lokale dhe kundër, siç është cilësuar nga organizatorët, ndërhyrjeve të nivelit qendror në kompetencat e komunave.
Skënderaj dhe Drenasi udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës, Suhareka nga Aleanca dhe Prishtina nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Duhet të theksohet se përfaqësuesit e komunave të udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje mungojnë në protestë, derisa edhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci (Lëvizja Vetëvendosje) ka deklaruar sot se kjo protestë është e nxitur politikisht dhe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve.
Protestës i është bashkuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Përmes kësaj proteste kërkohet mbrojtja e buxheteve komunale, çështjeve pronësore, kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, si dhe përmbushja e obligimeve që niveli qendror ka ndaj komunave.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që marrëdhëniet mes pushtetit qendror dhe atij lokal të bazohen në respektimin e kompetencave të komunave dhe në bashkëpunim institucional.
Protesta po zhvillohet në qendër të Prishtinës, ndërsa pjesëmarrësit pritet të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me kërkesat ndaj institucioneve qendrore.
