Peshëngritësi Briken Calja ka fituar medaljen e artë në stilin e shkëputjes, në peshën 75 kg, në edicionin e 20-të të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.
Në garën e zhvilluar në orën 10:00 në Taranto, Itali, ku po zhvillohen Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, Calja realizoi me sukses të tria provat e tij, duke ngritur 154 kg dhe duke vendosur rekord të ri mesdhetar në këtë stil.
Në provën e parë, Calja ngriti 147 kg, ndërsa më pas realizoi me sukses edhe dy provat e tjera, me 152 kg dhe 154 kg.
Me këtë rezultat, sportisti shqiptar u rendit në vendin e parë, duke i dhuruar Shqipërisë një tjetër medalje ari në këto Lojëra Mesdhetare. Pas shqiptarit, në vendin e dytë u rendit turku Yusuf Genc, me 153 kg, ndërsa në vendin e tretë tuniziani Karem Hnia, me 151 kg.
Kjo medalje është një tjetër sukses i rëndësishëm për peshëngritjen shqiptare. Shqipëria, në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, deri më sot ka arritur të sigurojë katër medalje, 2 argjendi dhe 2 bronzi, duke u renditur në vendin e 15-të.


