Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të diele në Kurbnesh të Mirditës, ku raportohet se një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë.
Si pasojë e aksidentit, një person 20 vjeç ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar, përkatësisht drejtuesi i mjetit dhe një i mitur.
Policia e Lezhës njofton se të lënduarit janë transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës për mjekim të specilizuar.
Rrethanat e aksidentit dhe shkaqet që çuan në daljen e automjetit nga rruga janë ende të paqarta. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Në aksin rrugor Lurë–Rrëshen, në fshatin Kurbnesh, Mirditë, automjeti që drejtohej nga shtetasi A. K., rreth 20 vjeç, ka dalë nga rruga.
Si pasojë, shtetasi C. N., rreth 20 vjeç, pasagjer në automjet, ka ndërruar jetë. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 20 vjeç, dhe pasagjeri tjetër, i mitur, rreth 15 vjeç, janë transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
