Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur për rritjen e pagës së tyre në të njëjtin nivel me atë të prokurorëve. Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar sot, duke ndjekur të njëjtin model si gjyqtarët.
Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, KLP vendosi që paga referuese të jetë 222.425 lekë, së cilës i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit. Në total, baza e përllogaritjes arrin në 236.425 lekë. Efekti i vendimit të KLP shtrihet “de jure” vetëm për anëtarët e vet, por për shkak se paga e tyre llogaritet mbi bazën e pagës së prokurorit sipas ligjit, atëherë edhe Prokuroria e Përgjithshme do të zbatojë të njëjtin standard për të gjitha prokuroritë e vendit.
Anëtari i KLP-së Erind Mërkuri, argumentoi se vendimi është i detyruar nga boshllëku ligjor i krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“GJK ka vendosur shfuqizimin e një norme. Efekti ishte me afat duke i dhënë kohë Kuvendit për të plotësuar boshllëkun. Në mbledhjen Këshilli i Legjislacionit i Kuvendit ta kalonte qeverisë. Qeveria nuk ka pranuar. Në këtë moment nuk ka më bazë ligjore për pagën në Shqipëri. Legjislacioni nuk ecën duke lejuar absurde. Doktrina thotë se në këto raste mosveprimi të ligjvënësit mbulohet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.Vendimet e GJK janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Unë personalisht në një rast kam përfaqësuar Kuvendin por sigurisht në këtë rast duhet të zbatojmë vendimin e Kushtetueses. Në këtë pikë është përgatitur një relacion. Paga referencë është paga në Kryeministri, kategoria drejtor i përgjithshëm, (në atë kohë ka qenë drejtor kabineti, sot nuk ekziston më). Jemi të detyruar nga Gjykata Kushtetuese dhe për të mbajtur sistemin në këmbë, pasi paga është baza e funksionimit”, tha ai.
Që prej 1 gushtit 2026, pagat e gjyqtarëve janë rritur me 65.600 lekë. Vendimi u mor nga KLGJ ndërsa çështja u referua në Gjykatën Kushtetuese nga Unioni i Gjyqtarëve pasi qeveria Rama ishte kundër. GJK pranoi që ulja e pagave është e papranueshme ndërsa i dha kohën Kuvendit për të bërë ndryshimet e duhura ligjore për cilësimin e pagës.
Ky vendim i Kushtetueses rrëzoi ndryshimet ligjore të vitit 2023 që përcaktonin pagën e magjistratit sa 0.36 e pagës së Presidentit të Republikës, me argumentin se kishte ulje të fshehtë dhe kjo ishte antikushtetuese.