Demokratët Evropianë (PDE/EDP) i janë bashkuar qëndrimit të Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, duke kërkuar nga qeveria shqiptare rishikimin dhe shfuqizimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Në një deklaratë, PDE/EDP thekson se Shqipëria duhet të përafrojë legjislacionin e saj me standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe sundimit të ligjit.
“Komisionerja e BE-së, Marta Kos, e ka thënë qartë: ‘Mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE’”, deklarojnë Demokratët Evropianë.
Sipas tyre, Shqipëria duhet të adresojë edhe Ligjin për Investimet Strategjike, me qëllim përmbushjen e kërkesave për mbylljen e Kapitullit 27, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
“Evropa po e dëgjon shoqërinë civile shqiptare”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE duhet të mbështetet në mbrojtje të fortë të mjedisit, sundim të ligjit dhe garantimin e interesit publik në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Deklarata vjen pas qëndrimit të Komisioneres Marta Kos, e cila ka kërkuar nga autoritetet shqiptare hapa konkretë për harmonizimin e kuadrit ligjor me standardet evropiane në fushën e mjedisit.
