Platforma “Liria ka Emër” ka vendosur në Prishtinë “Orën e Pritjes”, 25 ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet vendimi final për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në aktivitetin e organizuar në Prishtinë morën pjesë përfaqësues të institucioneve, familjarë, qytetarë dhe figura politike, të cilët theksuan rëndësinë e kujtesës për luftën e UÇK-së dhe pritjen e familjeve për përfundimin e procesit gjyqësor në Hagë.
Në ceremoninë e vendosjes së ekranit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se “Ora e Pritjes” është simbol i pritjes së familjeve dhe gjithë Kosovës.
“Ky ekran këtu është simbol i pritjes sonë në Prishtinë. Por ekranet e ngjashme do të vendosen gjithandej Kosovës. Sepse këtu janë më shumë se ekrane. Janë një mesazh për familjet që presin, për ata që janë në Hagë dhe për gjithë botën që Kosova nuk harron”, tha Hamza.
Nënkryetarja e Prishtinës, Besiana Musmurati, tha se deri më 12 shtator do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në kuadër të pritjes për kthimin e krerëve të UÇK-së.
“Historia e lirisë në qytetin tonë nuk është shkruar veç në sheshe e libra. Ajo është shkruar në shtëpitë tuaja. Pothuajse çdo lagje e Prishtinës e çdo fshat i Prishtinës e ka një histori për lirinë e Kosovës. Prandaj, kur ecim sot në Prishtinë, ne ecim mes mijëra historive të lirisë. Por sot, fatkeqësisht, historia na ka sjellë përsëri te pritja. Në Hagë gjenden figurat drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me një proces gjyqësor të padrejtë. Familjet e tyre po presin, bashkëluftëtarët po presin, shokët po presin dhe të gjithë qytetarët e Kosovës po presin”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se më 12 shtator qytetarë nga gjithë Kosova pritet të mblidhen në Prishtinë, ndërsa aktivitetet do të përfshijnë ligjërata në shkolla, aktivitete në sheshe, seminare me studentë dhe ekspozita.
Ndërsa Ismail Tasholli tha se shpreson që më 16 shtator “ora e mbrapsht” të fillojë mbarë.
“Ne po shpresojmë që me 16-tin shtator ora e mbrapsht do të fillojë mbarë, sepse kjo shoqëri ka nevojë për orët e bardha”, tha ai.
Vendosja e “Orës së Pritjes” vjen 25 ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet vendimi final në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në kuadër të kësaj nisme, platforma “Liria ka Emër” synon që deri në ditën e vendimit të zhvillojë aktivitete në qytete të ndryshme të Kosovës, me fokus te kujtesa për luftën dhe sakrificën për liri. /Kosovapress/
