13 persona do të njihen me masat e sigurisë këtë të premte, pas vrasjes së bujshme të turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë në ambientet e jashtme të një lokali në Ksamil.
Mes personave të akuzuar, përpos autorit, janë edhe dy shtetas turq, të cilët e ndihmuan në përpjekjen e tij për t’u arratisur, kamarierë të lokalit dhe disa punonjës sigurie. 11 nga të akuzuarit kanë mbërritur në gjykatë, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.
Policia ka kryer kontrolle në tre qytete të vendit për kapjen e tyre.
Bëhet fjalë për pronarin e lokalit “Principotes” ku nisi sherri fizik dhe një 29-vjeçar i cili dyshohet si bashkëpunëtori kryesor në krim
Ndërkohë, në dëshminë e tij, 29-vjeçari me inicialet S.V., i cili punonte si truprojë te beach bar-i, ka theksuar se gjithçka ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, thika ishte e turistit 20-vjeçar dhe se zanafilla e konfliktit shënoi në momentin që ai u ka kërkuar një grupi turistësh të mbajnë qetësi, me pretendimin se këta të fundit ishin nën efektin e alkoolit.
Vetë ai, i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore për shkak se ka shenja goditjeje në trup.
Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit dhe, për shkak të njerëzve që vrapojnë, nuk dallohet qartë. Pjesa tjetër nuk është filmuar nga kamerat, për shkak të distancës dhe errësirës.
Pavarësisht aludimeve që qarkulluan fillimisht, se shkak i përplasjes fizike dhe më pas i aktit fatal ishte një vajzë, kjo gjë nuk është konfirmuar ende. As autori, 29-vjeçari nga Hasi, nuk ka thënë asgjë të kësaj natyre para hetuesve.
