Marrëdhëniet e afërta mes Uashingtonit dhe Rabatit kanë qenë prej kohësh të ekspozuara publikisht nga të dyja palët, nga njoftimi i Marokut se do të ishte shteti i parë afrikan që do t’i bashkohej Bordit të Paqes të Donald Trump, deri te mesazhi i urimit që Trump i dërgoi së fundmi mbretit Mohammed VI me rastin e 27-vjetorit të ardhjes së tij në pushtet.
Shembulli më i fundit u shfaq këtë javë, teksa Spanja po përballej me pasojat e hyrjes së papritur dhe kthimit të shpejtë të më shumë se 70 mijë personave në Ceuta. Mbreti i Marokut konfirmoi se ka emërtuar një autostradë me vlerë 1 miliard dollarë, që kalon pranë territorit të diskutueshëm të Saharas Perëndimore, me emrin e Trump.
Forcimi i lidhjeve mes dy vendeve është vënë sërish nën vëzhgim, ndërsa vazhdojnë pyetjet mbi shkaqet që çuan në kalimin masiv dhe vdekjeprurës të kufirit drejt territorit të vogël spanjoll në Afrikën e Veriut.
“Ka mjaftueshëm prova për të ngritur hipotezën se Maroku qëndron pas kësaj”, tha Riccardo Fabiani, drejtor për Afrikën e Veriut në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. Megjithatë, ai shtoi se nuk kishte një shkak të qartë që e nxiti ngjarjen, duke e bërë situatën të paqartë për shumë vëzhgues.
Disa analistë kanë sugjeruar se afrimi i fundit i Spanjës me rivalin rajonal të Marokut, Algjerinë, mund të ketë ndikuar në reagimin e Rabatit. Por një shpjegim tjetër, sipas Fabiani-t, lidhet me Shtetet e Bashkuara.
“Është e pamundur të provohet plotësisht, por nuk është e pamundur të imagjinohet që Maroku mund të ketë ndërmarrë diçka për të fituar mbështetje nga aleatët e tij, duke pasur parasysh marrëdhënien shumë të afërt me administratën aktuale në Uashington”, tha ai.
Sipas ekspertit, Maroku ndoshta nuk e kishte “organizuar” krizën në Ceuta, por marrëdhëniet e tij me administratën Trump dhe dëshira për të mbajtur në vëmendje pretendimet ndaj Ceutës mund të kenë ndikuar në mënyrën se si autoritetet marokene reaguan ndaj thashethemeve online për hapjen e kufirit spanjoll.
Pas kësaj, mijëra persona kaluan drejt Ceutës duke notuar ose duke ecur në ujë, në një nga dy kufijtë tokësorë të Bashkimit Europian me Afrikën. Pamjet shkaktuan reagime të forta ndërkombëtare dhe u shfrytëzuan nga zëra të së djathtës ekstreme.
Në SHBA, zëvendëspresidenti JD Vance dhe Departamenti i Shtetit fajësuan qeverinë socialiste të Spanjës për krizën, ndërsa Trump paralajmëroi se zgjedhja e demokratëve do ta bënte atë që ndodhi në Spanjë të dukej “diçka e vogël”. Asnjëri prej tyre nuk përmendi Marokun apo rolin e mundshëm të tij.
Administrata Trump ka pasur prej kohësh një qëndrim kritik ndaj kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, për shkak të refuzimit të tij për të lejuar përdorimin e bazave ajrore amerikane gjatë luftës me Iranin, kundërshtimit të objektivit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe kritikave ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza.
Reagimi amerikan u konsiderua si një sukses diplomatik për Rabatin. Marrëdhëniet mes Trump dhe Marokut datojnë që nga mandati i parë presidencial, kur Maroku normalizoi marrëdhëniet me Izraelin në këmbim të njohjes nga Trump të pretendimit të tij mbi sovranitetin në Saharan Perëndimore.
Sipas Fabiani-t, monarku maroken ka intensifikuar që atëherë përpjekjet për të forcuar lidhjet me administratën amerikane, me synimin që Uashingtoni të mbështesë planin e autonomisë së Marokut për Saharan Perëndimore.
Një sinjal i këtij afrimi u pa edhe në një raport të fundit të Kongresit amerikan, i cili përdori termin “i administruar nga Spanja” për Ceutën, në vend që ta cilësonte atë thjesht si territor spanjoll, siç ka qenë që prej vitit 1580.
Sipas Haizam Amirah-Fernández, drejtor i Qendrës për Studime Bashkëkohore Arabe në Madrid, pas krizës së Ceutës, çështja e këtij territori mbeti në fokus të qarqeve pranë Trump dhe qeverisë izraelite.
Ai tha se ngjarjet treguan gatishmërinë e Rabatit për të përdorur “taktika hibride për të arritur objektiva politike”, duke e krahasuar situatën me krizën e vitit 2021, kur Maroku lehtësoi kontrollet kufitare dhe lejoi kalimin e më shumë se 8 mijë personave drejt Ceutës pas një mosmarrëveshjeje me Madridin.
Këtë herë, me gati dhjetëfishin e numrit të personave që kaluan kufirin, reagimi në Bashkimin Europian u shoqërua më shumë me akuza reciproke sesa me një përpjekje të përbashkët për presion ndaj Marokut, i cili është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe investues të BE-së.
Zyrtarë të lartë marokenë kanë mohuar akuzat se vendi ka pasur rol në organizimin e krizës.
Sipas ekspertëve në Institutin Maroken për Analizën e Politikave, marrëdhëniet mes Marokut dhe SHBA-së ndodhen në një “epokë të artë”. Megjithatë, analisti Said Saddiki theksoi se politika e Rabatit ndaj administratës Trump mbetet pragmatike.
“Politikëbërësit marokenë e kuptojnë mirë stilin transaksional të Presidentit Trump dhe kanë kërkuar të ruajnë autonominë strategjike të vendit”, tha ai, duke përmendur marrëdhëniet e Marokut me Bashkimin Europian, Kinën dhe vendet e Gjirit.
Për Fabiani-n, kriza e Ceutës nxori në pah rreziqet e varësisë së Europës nga vendet e Afrikës së Veriut për kontrollin e migracionit.
“Europa është bërë tërësisht e cenueshme dhe e varur nga vullneti i një vendi si Maroku. Maroku është partner, por ka edhe interesat e veta. Kjo cenueshmëri u pa qartë”, tha ai.
Sipas tij, situata mund të bëhet edhe më e ndërlikuar në të ardhmen, pasi Maroku e sheh çështjen e Ceutës si të pazgjidhur dhe ndihet më i fuqizuar nga mbështetja që mund të marrë nga Uashingtoni.
“Europa nuk është e përgatitur për atë që mund të vijë më pas, sepse situata mund të bëhet shumë më e komplikuar”, paralajmëroi Fabiani.
