Shqipëria vijon të shënojë progres në zbatimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian, duke përfituar mbështetje financiare në kuadër të Planit të Rritjes (Growth Plan) të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
“Sipas “WEBALKANS_eu” ka bërë progres të fortë dhe të qëndrueshëm, duke përfituar më shumë fonde dhe mundësi për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik, për të rritur investimet dhe për të afruar më shumë standardet europiane në vendin tonë”, shkruan Agjencia për Media dhe Informim (MIA), teksa bën të ditur se, deri tani Shqipëria ka përfituar 23% të fondit të parashikuar në kuadër të këtij instrumenti financiar, duke reflektuar ecurinë në zbatimin e reformave të dakordësuara me Bashkimin Evropian.
MIA thekson se Plani i Rritjes synon të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të rrisë investimet dhe të afrojë ekonomitë e rajonit me tregun e përbashkët dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Përmes kësaj mbështetjeje, Shqipëria përfiton fonde dhe asistencë për forcimin e ekonomisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjeve rajonale, mbështetjen e biznesit dhe sipërmarrjes, si edhe përshpejtimin e reformave të nevojshme në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë strategjike e Bashkimit Evropian që synon të nxisë rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe afrimin gradual të vendeve të rajonit me politikat dhe standardet evropiane, përmes reformave dhe investimeve.
Institucionet e linjës vlerësojnë se zbatimi i këtij plani do të ndikojë në rritjen e potencialit ekonomik të vendit, përmirësimin e klimës së biznesit dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, duke krijuar më shumë mundësi për qytetarët dhe sipërmarrjen shqiptare.
