Administrata Tatimore rikujtoi sot subjektet e transportit publik se kjo e shtunë shënon afatin e fundit për aplikimet për përfitimin e kompensimit prej 50 lekë për litër karburant, për sasinë e konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026.
Në njoftimin e saj, administrata tatimore u bëri thirrje operatorëve të aplikojnë brenda afatit për të përfituar mbështetjen financiare të miratuar nga qeveria.
“Aplikoni për të përfituar kompensimin prej 50 lekë/litër për karburantin e konsumuar gjatë periudhës mars–prill–maj 2026”, thuhet në njoftimin e Administratës Tatimore.
Skema e kompensimit u miratua nga qeveria në muajin maj, si një masë për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimit të karburanteve, pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Mbështetja parashikon kompensimin me 50 lekë për litër për operatorët e transportit publik për periudhën mars-maj 2026.
Ndërkohë, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i është drejtuar qeverisë me një kërkesë për vijimin e kësaj skeme edhe për muajt qershor, korrik dhe gusht, duke argumentuar se çmimi i naftës vijon të mbetet në nivele të larta dhe ka rënduar kostot operative të sektorit.
Në deklaratën e saj, shoqata thekson se rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit ka krijuar një barrë të rëndë financiare për operatorët, duke vënë në rrezik likuiditetin e tyre dhe funksionimin normal të shërbimit të transportit publik.
Shoqata kërkon që institucionet përgjegjëse t’i propozojnë Këshillit të Ministrave zgjatjen e skemës së kompensimit edhe për tre muaj të tjerë, si dhe përshpejtimin e procedurave të rimbursimit, duke theksuar se një pjesë e operatorëve nuk kanë marrë ende pagesat përkatëse.
Sipas shoqatës, vijimi i mbështetjes financiare do të ndihmonte në garantimin e vazhdimësisë së shërbimit të transportit publik dhe në përballimin e kostove të larta të karburantit nga operatorët.
