Një personazh i shumëkërkuar nga drejtësia është vetëdorëzuar në polici, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.
Arrestimi i tij u krye në zbatim të masës së sigurisë “arrest në burg”, të caktuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas hetimeve të SPAK, personi me iniciale N.SH dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale që ka vepruar gjatë viteve 2020-2021, e përfshirë në trafikimin e rreth 8.1 tonëve lëndë narkotike, kryesisht kokainë dhe kanabis.
Prokuroria thotë se droga transportohej nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku, me destinacion Italinë, Belgjikën, Holandën, Spanjën dhe vende të tjera evropiane.
Hetimet e SPAK për këtë grup kriminal vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në aktivitetin kriminal.
