Nëna e tre fëmijëve, Dorina Sejdini, u lirua nga burgu i Pojskës. Vendimi u dha nga gjyqtari Edvan Velçani, i cili, në mungesë të 34-vjeçares, që nuk ishte e pranishme, shqyrtoi me urgjencë kërkesën e 34-vjeçares për rivendosje në afat, që do të thotë pezullim i arrestimit të saj, e po ashtu zhbërje e dënimit me burg prej dy muajsh.
Kjo do të thotë gjithashtu se gruaja e akuzuar për dhunë në familje dhe e dënuar me dy muaj burgim nga Shkalla e Parë e kryeqytetit konsiderohet, pas vendimit të gjyqtarit Velçani, pa vendim të formës së prerë, e njëherazi në pritje për t’u gjykuar nga Apeli i Tiranës.
Gruaja, nënë e tre fëmijëve, katër, dy vjeç dhe i treti 7 muajsh, u arrestua sapo u kthye nga Gjermania. Por çështja e saj u bë publike pas dërgimit të Sejdinit në burgun e Pojskës dhe kërkesave të saj që t’i ribashkoheshin në qeli edhe fëmijët. Për këtë arsye, foshnja 7-muajshe iu dorëzua menjëherë në burgun e Pojskës, duke sjellë akomodimin e gruas në një ambient të posaçëm për të dënuarat, nëna me fëmijë të mitur.
Rasti i raportuar në Top Channel për mënyrën se si ishte ekzekutuar vendimi nga autoritetet u bë shkak që Avokati i Popullit, me dy komisionerë, të verifikojë kushtet dhe procedurat e burgosjes së saj. Endri Shabani deklaroi se, nëse gruaja nuk lirohej, do të kishte shkelje të procedurave. Po ashtu, për prangosjen e Sejdinit reagoi edhe Presidenti i Republikës, i cili kërkoi propozim nga Ministria e Drejtësisë për t’i dhënë faljen, nëse rezulton se ajo nuk është përfituese e amnistisë penale të vitit 2026.
