Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot në Kuvend ndaj parashikimit në rendin e ditës të leximit të raportit të Komisionit të Reformës Territoriale, ndërsa opozita kërkoi shtyrjen e afatit të komisionit.
Berisha tha se PD iu përgjigj një kërkese të prerë të Komisionit Evropian për angazhimin në komision parlamentar për reformën territoriale si një nga kushtet e pakta të vendosura nga ky komision për progresin e Shqipërisë drejt BE sikundër edhe iu përgjigj kërkesave të qytetarëve shqiptarë për të bërë avokatinë e tyre.
“Morëm pjesë në kundërshtim me bindjen e thellë se Edi Rama do bënte gjithçka për të përvetësuar këtë reformë në funksion të interesave të tij mafioze, antidemokratike, antishqiptare shpopulluese”, deklaroi Berisha.
Në këtë komision, sipas tij, nga PD është kryer punë serioze e konkretizuar në një raport prej 400 e ca faqesh.
“Axhenda e përbashkët kishte vazhdimin me konsulta të tjera. Raporti që pretendoni të paraqisni sot është absolutisht i paligjshëm. Nuk është miratuar në komisionin parlamentar dhe në praktikën dhjetëra vjeçare, komisionet bipartizane kanë shtyrë sa herë ka qenë e nevojshme afatet”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së tha se mazhoranca vjen në Kuvend me një raport që nuk është paraqitur në komisionin e reformës.
“Ky është një brutalitet. Ky është një akt me të cilin ju doni me çdo kusht të largoni pushtetin nga qytetarët. Kur e patë se shqiptarët hedhin poshtë me përçmim reformën e bërë, ndërpretë konsulta, sillni në parlament në mënyrë të paligjshme një raport”, tha Berisha.
“Ju vërtet mund të bëni një akt të tillë, por ne absolutisht do bëjmë gjithçka që ata të ngrihen në një kryengritje të përgjithshme të fuqishme kundër jush në mënyrë që të bëjnë drejtësinë që i takon”, përfundoi Berisha.
