Lëvizja qytetare kundër qeverisë vijon edhe sot në Tiranë, ku pritet të mbahet protesta e 53-të radhazi me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protesta pritet të nisë në orën 19:00, në sheshin “Skënderbej”, ku më pas do vijojë marshimi drejt Kryeministrisë.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke deklaruar se mobilizimi do të vijojë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Për 52 ditë me radhë, qytetarë të shumtë janë mbledhur në kryeqytet duke protestuar ndaj një sërë çështjesh që, sipas tyre, dëmtojnë interesin publik.
Mes tyre përmenden kundërshtimet ndaj investimit në Zvërnec, ligjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Gjatë protestave të zhvilluara deri tani nuk kanë munguar thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa protestuesit kanë kërkuar ndryshime të thella politike dhe institucionale.
Ndërsa të enjten pritet një tjetër tubim para Parlamentit, në ditën kur zhvillohet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.
