Vijon procesi gjyqësor ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, të akuzuar për përfshirje në atentatin e ndodhur te mbikalimi i Shkozetit.
Sipas SPAK, Bledar Polovina ka qenë personi që ka qëlluar i dyti gjatë atentatit.
Në seancën gjyqësore, avokati mbrojtës Saimir Visha ka kërkuar shpalljen e pavlefshme dhe të papërdorshme të procesverbaleve të administruara në dosje. Sakaq Gjykata thotë se është shprehur njëherë gjatë seancës paraprake dhe e ka gjetur të pabazuar.
Si ndodhi ngjarja?
Në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku. Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor të vitit 2019, në autostradën Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit të Shkozetit. Në momentin e sulmit, ish-prokurori Arjan Ndoja udhëtonte në një automjet tip “Benz” së bashku me Aleksandër Lahon, i njohur edhe me emrin Pëllumb Muharremi dhe me nofkën “Rrumi i Shijakut”, si dhe shoferin e tij, Andi Maloku, ish-efektiv i Policisë së Shtetit.
Automjeti u qëllua me breshëri automatiku nga një makinë tjetër në lëvizje. Si pasojë e të shtënave, automjeti doli nga rruga, ndërsa tre personat u transportuan me një automjet privat drejt spitalit.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, Andi Maloku, 24 vjeç, ndërroi jetë në spital si pasojë e një plumbi të marrë në gjoks. Ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho mbetën të plagosur dhe i mbijetuan atentatit.