Në pritje të seancës për caktimin e masës së sigurimit personal në Gjykatën e Fierit, nëna e njërës prej 15-vjeçareve ndaj së cilës është vendosur masa e sigurimit “Shtrim i përkohshëm në një spital psikiatrik”, ka deklaruar se shqetësimet për gjendjen e vajzës kanë qenë të hershme, që kur ajo ishte nxënëse në një shkollë publike 9-vjeçare, disa muaj më parë.
Sipas nënës, familja kishte kërkuar ndihmë nga shkolla dhe psikologia e institucionit arsimor, por pretendon se nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme dhe se vajza është përjashtuar nga shkolla.
Për këtë arsye, prindërit iu drejtuan Zyrës Arsimore Fier dhe si zgjidhje vendosën regjistrimin e saj në një shkollë private. Megjithatë, vajza nuk ka frekuentuar asnjë ditë mësimi në këtë shkollë, pasi, sipas nënës, ajo ndihej e bullizuar.
Nëna e 15-vjeçares ka shprehur gjithashtu shqetësimin se nuk është në dijeni të diagnozës së vajzës dhe as të trajtimit që po i nënshtrohet.
Ndërkohë, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka mbërritur edhe 19-vjeçarja L.L. Ajo do të paraqitet përpara trupit gjykues për verifikimin e kushteve dhe kritereve për vijimin e zbatimit të masës së sigurimit.
Lamaj u vu në pranga me kërkesë të Prokurorisë, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, e kryer në bashkëpunim.
