Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët se Partia Demokratike do të dorëzojë së shpejti në Prokurori një padi lidhur me atë që ai e cilësoi si “Libri i Kuq i Edi Ramës”.
Sipas Berishës, protesta që ai e quajti “kryengritje paqësore rinore qytetare” ka fituar mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
“Kjo javë e gjeti përsëri Shqipërinë në qendër të lajmeve në Evropë dhe në botë. Kryengritja paqësore rinore qytetare po gjen mbështetje të gjerë në të gjithë spektrin politik evropian, por edhe te qytetarët e vendeve të lira të Evropës”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se, sipas tij, ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ndërsa pretendoi se “Libri i Kuq i Edi Ramës” përmban një aktakuzë me 750 faqe dhe referon 523 vepra penale.
Kreu i PD-së tha se përfaqësuesit e protestës kanë dorëzuar tashmë kallëzimin e tyre në Prokurori, ndërsa njoftoi se edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë së shpejti një padi që, sipas tij, përmbledh veprat penale të përfshira në këtë dosje.
Gjithashtu, Kreu i PD-së tha se “në mënyrë antikushtetuese, Rama merr nga fondi rezervë i qeverisë, krijimi i të cilit bazohet në nene të qarta të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe ky fond që i është besuar atij për ta përdorur për emergjence, urgjenca dhe raste tepër të veçantë, këtë fond Edi Rama e ndan me Kanye West, një këngëtar i mirënjohur, vetëm e vetëm për lobingje të tij”.
Ai tha se “në asnjë rrethanë dhe asnjë rast, një koncerti privat nuk mund t’i jepeshin paratë e emergjencave të një vendi apo paratë e rezervës së Këshillit të Ministrave.
Këtë e bën vetëm ai që nuk pyet për Kushtetutë. Vetëm ai që nuk ka asnjë interes të shtetit ligjor apo interes kombëtar. Ka vetëm interesa personale”.
