Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot pas deklaratave të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, lidhur me çështjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë një deklarate nga kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se SPAK po vendos politikën përpara ligjit dhe se po aplikon “standarde të dyfishta” në trajtimin e çështjes.
Sipas tij, deklaratat e fundit të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme tregojnë mospërputhje me qëndrimet e mëparshme të institucionit mbi masat e sigurimit dhe hetimet penale.
“SPAK-u ka vendosur politikën përpara ligjit për imunitetin e Belinda Ballukut. Ajo që deklaroi sot drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për çështjen Balluku konfirmon se standardi i dyfishtë për të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit është në veprim. Përndryshe, nuk ka sesi drejtuesi i SPAK-ut të deklarojë sot, nga njëra anë, se “mungesa e një mase e vështirëson një hetim edhe e dëmton atë”, dhe, nga ana tjetër, të mos veprojë në mbrojtje të hetimit duke mos sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zëvendëskryeministres.
“Më shumë se mungesa e masës së sigurimit, hetimin dhe drejtësinë e dëmtojnë standardet e dyfishta në sjelljen e Prokurorisë. Është e papranueshme që ligji të sjellë një reagim të Prokurorisë në dhjetor 2025 dhe një reagim tjetër të ndryshëm në qershor 2026”, tha Bardhi.
Bardhi gjithashtu ngriti disa pyetje për SPAK-un, duke kërkuar shpjegime mbi moskërkimin e masave të reja të sigurisë.
“Një prokuror i pavarur nuk bën politikë sipas interesave të momentit të Kryeministrit dhe nuk bëhet pjesë e makinacioneve dhe llogarive politike. Një prokuror i mirë zbaton ligjin. Ligji është i njëjti me atë të dhjetorit të kaluar, kur drejtuesi i SPAK deklaroi se “kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit”, tha Bardhi.
