Është dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishaj, këtë të premte, 26 qershor, lidhur me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Me 35 vite heqje lirie është dënuar Julian Meçe.
Nga pretenca e lexuar prej Prokurorisë së Posaçme (më 8 maj), kjo e fundit parashtroi se Dervishaj dhe Meçe kanë bashkëpunuar si grup kriminal për të kryer atentatin në mbikalimin e Shkozetit.
SPAK tha se e dokumenton autorësinë e ngjarjes së rëndë përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, provat në mjetin e autorëve, komunikimet në aplikacionin Sky, ku janë zbardhur biseda për atentatin e rëndë dhe përpjekjet e grupit para dhe pas ngjarjes për të kryer vrasjen e Arian Ndojës dhe Pëllumb Muharremit.
Po ashtu, të dhënat e dala nga komunikimet në aplikacionin Sky, SPAK thotë se i konfirmon edhe nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë Erion Alibej.
Më herët, si një nga ekzekutorët në këtë atentat, me burgim të përjetshëm është dënuar Redjan Rraja dhe dënime më të ulëta për 6 të tjerë, që sipas SPAK kanë ndihmuar në këtë ngjarje.
Sjellim ndërmend se ngjarja e rëndë ndodhi më 1 nëntor 2019, rreth orës 16:00, ku në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet Benz, ngjyrë gri, qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin Andi Maloku, Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho.
Nga të shtënat, të tre personat morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë gjeti vdekjen në spital shoferi Andi Maloku, kurse ish-prokurori Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho, morën plagë me armë zjarri dhe iu nënshtruan mjekimit në spital.
