Në Gjykatën e Posaçme është mbajtur seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, ku mbrojtja ka kundërshtuar provat e paraqitura nga SPAK.
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, kërkoi shpalljen e papërdorshme të një sërë provash, duke argumentuar se ato janë marrë në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të shërbejnë si bazë për akuzë.
Sipas tij, kallëzimi fillestar nuk lidhej me Metën personalisht, por me çështje të tjera, ndërsa përfshirja e tij në dosje është bërë më vonë dhe, sipas mbrojtjes, në mënyrë të padrejtë.
“Më 15 faqe përmblidhet çështja e shekullit, ndërsa pjesa tjetër është mbushje”, u shpreh avokati, duke e cilësuar procesin si të motivuar politikisht.
Mbrojtja kërkoi përjashtimin nga dosja të disa provave kryesore, përfshirë intervista televizive, një mesazh SMS të vitit 2009, video-përgjime, si dhe vendime arbitrazhi, duke pretenduar se janë marrë pa vendim gjykate ose në shkelje të procedurave ligjore.
Avokati argumentoi gjithashtu se në momentin e disa prej pretendimeve, Ilir Meta nuk kishte funksion ekzekutiv, por ishte deputet opozitar, duke vënë në dyshim bazën ligjore të akuzës për korrupsion pasiv.
Sipas mbrojtjes, disa nga provat nuk mund të përdoren edhe për shkak të mënyrës së sigurimit të tyre nga persona privatë dhe mungesës së verifikimit të plotë gjyqësor.
Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesat e mbrojtjes për papërdorshmërinë e provave në vijim të procesit, ndërsa seanca është pjesë e një prej dosjeve më të rëndësishme të hetuara nga SPAK në vitet e fundit.
