Programi “Rilindja Urbane 2.0”, i cili do të prezantohet gjatë ditëve të para të muajit korrik pritet të adresojë problematikën e rrjetit të ujësjellës kanalizimeve.
Duke folur për këtë program gjatë një aktiviteti me drejtues të pushtetit vendor, kryeministri Edi Rama theksoi se “Rilindja Urbane 2.0” është një nismë shumë e madhe dhe e shtrirë në një sërë drejtimesh me natyrë strategjike për komunitetet e vendit.
“Programi do të lançohet publikisht në një konferencë të pushtetit vendor në dhjetëditëshin e parë të korrikut”, shtoi Rama.
Programi i ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, sipas tij, po përgatitet nga institucionet në dialog me bashkitë, nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e ministrit të Pushtetit Vendor.
“Është një program i cili synon të adresojë disa elementë që tanimë i ka ardhur koha të marrin një drejtim shterues. Së pari, adreson të gjitha pjesët e mbetura të painvestuara të sistemit të ujësjellës kanalizimeve”, shtoi Rama.
Sipas Kryeministrit, programi do të adresojë nevojën për të bërë një ndërhyrje gjithëpërfshirëse edhe për t’i dhënë përgjigje edhe atyre nevojave të mbetura pa adresuar nga segmente akoma të munguara të rrjetit të përgjithshëm të ujësjellës kanalizimeve.
