Pas afro 5 muajsh, janë arrestuar dy autorët e vrasjes së 45-vjeçarit Denis Çumani, në Shijak.
Pasi u dhunua fizikisht, Çumani u qëllua me armë zjarri në derë të shtëpisë së tij. Ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.
“Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 2 autorët e dyshuar të vrasjes së një 45-vjeçari, në muajin janar 2026, në Shijak. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për shtetasit: -I. F., 38 vjeç dhe D. F., 36 vjeç (kushërinj), të dy banues në Shijak”, njofton Policia këtë të hënë.
Dy autorët, mësohet se janë kushërinj me njëri-tjetrin, ndërsa si shkak janë raportuar debatet për një vajzë. Çumani i kishte dërguar mesazhe asaj, në një kohë kur ajo ishte në një lidhje me njërin nga autorët.
