Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni raportoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike lidhur me raportin vjetor të veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike (DAP) për vitin 2025.
Në fjalën e saj Pirdeni tha se “ky raportim vjen në një moment veçanërisht domethënës për Shqipërinë vetëm dy javë pas miratimit të raportit për vlerësimin e piketave të ndërmjetme për Shqipërinë nga 27 vendet e Bashkimit Europian, me një vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave dhe posaçërisht për reformën publike”.
“Ky raport konfirmon përmbushjen e kënaqshme të kushteve të ndërmjetme për grup kapitullin e parë dhe për këtë vlerësim një rol të veçantë zë dhe ky kriter horizontal sikurse është i gjithë procesi i reformës së administratës publike dhe ecuria e përgjithshme e tij përgjatë gjithë procesit të anëtarësimit deri tani”, theksoi Pirdeni.
Ministrja Pirdeni vuri në dukje se “një nga zhvillimet kryesore të 2025 ishte miratimi i strategjisë sektoriale të reformës së administratës publike dhe i planit të saj veprimit 2025-27 produkti i një procesi mbi dyvjeçar konsultimi me institucionet shqiptare, partnerët ndërkombëtarë, ECD dhe Sigma duke reflektuar dhe gjetjet e raportit të fundit të vlerësimit të këtij institucioni për Shqipërinë”.
“Gjatë vitit 2025 u monitoruan 57 masa të kësaj strategjie dhe 119 aktivitete të cilat janë vlerësuar me një nivel të kënaqshëm zbatimi me mbi 72%. Progres u shënua veçanërisht në forcimin e planifikimit strategjik, koordinimit të politikave, avancimit e reformës së shërbimit civil, veçanërisht dhe zgjerimin e digjitalizimit dhe modernizimit e organizimit të administratës publike, ndërsa u hodhën dhe bazat për zbatimin e një objektivi të ri tashmë në strategji, sikurse është ai i administratës së gjelbër”, tha Pirdeni.
Sipas saj, analiza e punës për 2025-ën tregon që një administratë publike do duhet që të vijojë të ndjekë ketë trend të qëndrueshëm për të qenë tërheqëse për talentet e reja, por jo vetëm, por dhe për ata profesionistë me eksperiencë si në sektorin publik dhe privat që dëshirojnë të qëndrojnë ose të afrohen dhe të punojnë në sektorin publik.
“Në aspektin e profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë është shënuar një përmirësim i dukshëm i kulturës administrative dhe respektimit të standardeve, çmimit civil. Krahasuar me 2024 numri i masave disiplinore në total është ulur me 33,3% ndërsa rastet e lirimeve për shkak të masës disiplinore janë reduktuar me 35,7%. Njëkohësisht të dhënat tregojnë që administrata publike sot është më atraktive dhe më e qëndrueshme vit pas viti. Kjo reflektohet në uljen e numrit të dorëheqjeve me 19,3% ulje krahasuar me një vit më parë dhe në reduktimin e përgjithshëm të lirimeve nga shërbimi civil me 32,8% ulje krahasuar me një vit më parë. Tregues këto që në fakt flasin për një forcim të besimit të punonjësve ndaj karrierës në shërbimin civil”, nënvizoi Pirdeni.
Një tregues i rëndësishëm, vijoi Pirdeni, i konsolidimit të shtetit të të drejtës në tërësi në fakt është niveli i lartë dhe i qëndrueshëm i zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, i cili ka arritur në nivelin 85,76% për të gjitha vendimet e mbartura që nga viti 2013 e në vijim.
“Kjo shifër rikonfirmon angazhimin e institucioneve të administratës publike për respektimin e detyrimeve ligjore që burojnë nga vendimet e gjykatave të formës së prerë. Gjithashtu viti 2025 vijoi me konsolidimin e sistemit të rekrutimit në shërbimin civil përmes thjeshtimit të procedurës rritjes së transparencës dhe zgjerimit të informimit për të gjithë kandidatët potencial. Këto masa kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e interesit, numri mesatar i aplikantëve për një vend pune është rritur nga 17,5 në 20 aplikantë për pozicion”, tha ministrja duke shtuar se për procedurat e pranimit në shërbimin civil ky tregues u rrit nga 20,3 në 23,4 aplikantë për pozicion.
Po ashtu, tha Pirdeni, u shënua një angazhim më i lartë i kandidatëve në proceset e rekrutimit ku mesatarisht çdo aplikant ka paraqitur 5,45 aplikime për pozicione të ndryshme.
“Në të njëjtën kohë numri mesatar i aplikantëve për çdo pozicion vijoi një trend ritës krahasuar me vitin pararendës, duke reflektuar konkurrencën më të lartë dhe interes në rritje për karrierën në administratën publike. Një element veçanërisht inkurajues i interesit të vazhdueshëm i të rinjve për t’u bërë pjesë e administratës publike. Mosha mesatare e aplikantëve rezulton të jetë 33 vjeç, ndërsa për procedurat e pranimit në shërbimin civil mosha mesatare është dhe më e ulur 32 vjeç”, theksoi Pirdeni.
Nga ana tjetër, shtoi ajo, mosha mesatare prej 38 vjeç e aplikantëve për ngritjen në detyrë tregon se administrata jonë publike promovon karrierën dhe mbetet tërheqës për profesionistë të rinj të cilët dëshirojnë të ndërtojnë karrierën e tyre brenda administratës publike.
Pirdeni informoi se “gjatë vitit 2025 u emëruan gjithsej 654 në punë civile. Mbi gjysma e këtyre emërimeve i përkasin hyrjeve të reja në administratë përmes procedurave të pranimit dhe rekrutimit nga jashtë shërbimit civil”.
Më tej Pirdeni u ndal edhe te rritja e pagave.
“Puna në 2025 në fakt është përqendruar në konsolidimin e saj dhe në përgatitjen e masave pasuese të rritjes së pagave. Në këtë kuadër u përgatit dhe u finalizua procesi i indeksimit me 2,5% të pagave për vitin 2026 në përputhje me normën e inflacionit si dhe u ndërmor rishikimi i niveleve të pagave për kategori të caktuara punonjësish, me qëllim mbështetjen e tyre me rritjen e pagës minimale në shkallë vendi”, tha ajo.
Pirdeni vuri në dukje se një nga zhvillimet më transformuese të vitit 2025 ka qenë avancimi i sistemit informatik të menaxhimit të burimeve njerëzore, i cili po krijon për herë të parë bazat për një menaxhim të unifikuar, të digjitalizuar dhe të bazuar në të dhënat të burimeve njerëzore në të gjithë sektorin publik.
“Sot ky sistem administron mbi 80 pozicione pune dhe më shumë se 60.000 dosje personeli në rreth 860 njësi shpenzuese të administratës publike shqiptare duke u konsoliduar si regjistri qendror i burimeve njerëzore të shtetit shqiptar”, tha ministrja.
Pirdeni informoi se “gjatë 2025 janë reflektuar në sistem të gjitha ndryshimet organizative dhe skemat e reja të pagave për më shumë se 400 institucione, ndërsa ka përparuar pilotimi i përdorimit të plotë të sistemit në të gjitha ministritë dhe në kryeministri.
