📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
1200 630 1780982802xhekurudhe

Qeveria shqiptare ka nisur procesin e konsultimit të tregut për përzgjedhjen e operatorit që do të ofrojë shërbimin publik të transportit hekurudhor të pasagjerëve në vend, me fokus fillestar linjën e modernizuar Durrës-Tiranë-Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e autoritetit kontraktor, ka publikuar thirrjen për shprehje interesi, duke ftuar kompanitë hekurudhore dhe konsorciumet ndërkombëtare të paraqesin eksperiencën dhe kapacitetet e tyre operacionale deri më 26 korrik 2026.

Sipas dokumentit zyrtar, para nisjes së procedurës së prokurimit, autoritetet shqiptare synojnë të zhvillojnë një proces konsultimi me operatorët potencialë për të mbledhur informacion mbi modelin e shërbimit, kërkesat teknike dhe qasjen më të përshtatshme për kontraktimin e operatorit.

Kontrata e ardhshme e shërbimit publik parashikohet të ketë një kohëzgjatje nga 10 deri në 15 vjet dhe do të mbulojë fillimisht operimin e linjës Durrës-Tiranë-Rinas, e cila aktualisht është në proces modernizimi.

Operatori që do të përzgjidhet do të ketë përgjegjësinë për sigurimin, vënien në dispozicion dhe mirëmbajtjen e flotës së trenave të nevojshëm për realizimin e shërbimit. Mjetet lëvizëse mund të jenë në pronësi të operatorit, të marra me qira ose përmes formave të tjera të disponueshmërisë, ndërsa autoritetet shqiptare preferojnë përdorimin e trenave elektrikë në përputhje me standardet e reja të infrastrukturës.

Paketa fillestare e shërbimit parashikon rreth 1,1 milionë kilometra qarkullim trenash në vit dhe përfshin linjat Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Aeroport. Në fazën e parë vlerësohet se do të nevojiten katër njësi elektrike treni, ndërsa me përfshirjen e flotës rezervë numri mund të arrijë në gjashtë.

Sipas planifikimit paraprak, procedura konkurruese për përzgjedhjen e operatorit pritet të zhvillohet gjatë tremujorit të katërt të vitit 2026, ndërsa shërbimi i rregullt i transportit të pasagjerëve në linjën Durrës-Tiranë-Rinas synohet të nisë në fund të vitit 2027.

Dokumenti parashikon gjithashtu që kontrata të mund të zgjerohet në të ardhmen me linja të tjera të rrjetit kombëtar hekurudhor, në varësi të përfundimit të projekteve të modernizimit. Në këtë kuadër, përfshihen korridori Vorë-Hani i Hotit, i cili pritet të vihet në funksion gjatë dekadës së ardhshme, si dhe aksi Durrës-Rrogozhinë-Pogradec.

Pas përfundimit të afatit për shprehjet e interesit, operatorët e interesuar do të ftohen në një takim konsultues, ku do të prezantohen detaje të mëtejshme mbi projektin dhe do të mblidhen komentet e industrisë përpara finalizimit të dokumenteve të tenderit.

Projekti Durrës-Tiranë-Rinas konsiderohet segmenti i parë i rrjetit hekurudhor shqiptar që po rindërtohet sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe pritet të krijojë lidhjen e parë moderne hekurudhore ndërmjet portit më të madh të vendit, kryeqytetit dhe aeroportit ndërkombëtar.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights