📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
WhatsApp Image 2026 06 01 at 09.31.43 696x464

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë vizitës në Prishtinë, zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ku diskutuan zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe sfidat që e presin vendin në periudhën e ardhshme.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u theksua rëndësia e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës, si dhe nevoja për bashkëpunim dhe përgjegjshmëri politike në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian.

“Nënvizuam rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe nevojën për një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie politike, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve për stabilitet, zhvillim dhe integrim evropian. E inkurajova kryetarin Hamza dhe PDK-në të vijojnë të luajnë një rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik, përfshirë proceset e rëndësishme institucionale që e presin vendin”, tha Hoxha.

Hoxha ritheksoi gjithashtu mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Kosovës, veçanërisht në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, avancimin e proceseve integruese euroatlantike dhe konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

“E sigurova për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Kosovës, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, avancimin e proceseve integruese evroatlantike, si dhe në përpjekjet për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

“Diskutuam gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë–Serbi, si një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, forcimin e stabilitetit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të të dy vendeve”, tha Hoxha.

Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe zhvillimeve që lidhen me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“U kushtuam vëmendje të veçantë edhe zhvillimeve që lidhen me ish-drejtuesit e UÇK-së. Shpreha respektin dhe solidaritetin tonë për kontributin e tyre historik në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe besimin tonë në pafajësinë e tyre. Njëkohësisht, ritheksova pritshmërinë që drejtësia të veprojë në mënyrë të paanshme, mbi bazën e fakteve, provave dhe standardeve më të larta ndërkombëtare të një procesi të rregullt ligjor”, tha Hoxha.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights