Policia e Shtetit ekstradoi sot nga Italia në Shqipëri, shtetasin Sueld Elezi.
Sipas policisë, Elezi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Policia njoftoi se ky shtetas akuzohet se në vitin 2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 2 kilogramë kokainë në Itali, ndërsa gjatë vitit 2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 932 kilogramë kokainë në Itali.
Gjithashtu policia bëri të ditur se u ekstraduan nga Shqipëria në Gjermani, shtetasi Roy Garin, 43 vjeç, banues në Izrael, pasi autoritetet gjermane kanë lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Mashtrimi me shuma të mëdha”, për 33 raste si dhe në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasi Altin Shehu, 34 vjeç, sepse Gjykata e Kentit të Veriut, në Mbretërinë e Bashkuar, me vendimin e datës 15.01.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”.
