Reagime të forta po shkakton mes punonjësve plani i Meta për të monitoruar tastierat dhe mouse-t e tyre, në një përpjekje për të mbledhur të dhëna për trajnimin e inteligjencës artificiale.
Fletëpalosje proteste janë shfaqur në ambientet e kompanisë, në tualete dhe në sallat e mbledhjeve, duke u bërë thirrje punonjësve të marrin pjesë në një nismë për mbledhje nënshkrimesh.
“Doni të punoni në Fabrikën e Ekstraktimit të të Dhënave të Punonjësve?” thuhet në një prej fletëpalosjeve, sipas Reuters.
Ky zhvillim vjen rreth një javë përpara se kompania e Facebook dhe Instagram të njoftojë shkurtimin e 10% të stafit të saj.
Fletëpalosjet përfaqësojnë shenjën më të dukshme të një lëvizjeje të re punëtore brenda Meta-s, pasi shumë punonjës janë të shqetësuar se po punojnë për zhvillimin e mjeteve që mund t’i zëvendësojnë ata në të ardhmen.
Në vend të një komenti të drejtpërdrejtë, një përfaqësues i Meta iu referua më herët deklaratave të kompanisë për sistemin e monitorimit të kompjuterëve të punës.
Sipas deklaratës, ndërsa kompania zhvillon agjentë që ndihmojnë njerëzit të kryejnë detyra të përditshme në kompjuter, modelet e inteligjencës artificiale kanë nevojë për shembuj realë të përdorimit të kompjuterëve, si lëvizjet e mouse-it, klikimet dhe navigimi në menu.
Megjithatë, fletëpalosjet e protestës citojnë ligjet e punës në SHBA, duke theksuar se punonjësit kanë të drejtë ligjore të organizohen për përmirësimin e kushteve të punës.
Në Britani, një grup punonjësish të Meta ka nisur përpjekje për t’u bashkuar me sindikatën United Tech and Allied Workers.
Punonjësit kanë krijuar edhe një faqe interneti për të tërhequr anëtarë, duke përdorur domenin “Leanin.uk”, një referencë ndaj librit “Lean In” të ish-drejtueses së operacioneve Sheryl Sandberg.
Sipas organizatores së United Tech and Allied Workers, Eleanor Payne, punonjësit e Meta po përballen me pasoja të rënda nga strategjitë e kompanisë për inteligjencën artificiale dhe shkurtimet e vendeve të punës, ndërsa detyrohen të ndihmojnë në trajnimin e sistemeve që mund t’i zëvendësojnë.
