Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi dje, 8 maj, një armëpushim 3-ditor mes Rusisë dhe Ukrainës. Vendim pas akuzave të ndërsjella për shkelje të marrëveshjeve të mëparshme gjatë festimeve të Ditës së Fitores së Luftës së Dytë Botërore.
Sipas Trump, marrëveshja përfshin pezullimin e të gjitha veprimeve ushtarake dhe gjithashtu një shkëmbim të madh të të burgosurve, me 1 mijë të burgosur nga secila palë.
“Ky armëpushim do të përfshijë ndalimin e të gjitha veprimeve si dhe një shkëmbim të 1 mijë të burgosurve nga secili vend”, deklaroi Trump, duke shtuar se ky do të jetë një nga shkëmbimet më të mëdha që nga fillimi i luftës.
Këshilltari i presidentit rus, Yury Ushakov, konfirmoi se Moska ka pranuar nismën e Trump për një armëpushim nga data 9 deri më 11 maj, si dhe për shkëmbimin e të burgosurve me Kievin gjatë kësaj periudhe.
Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi se Ukraina do të marrë pjesë në marrëveshje, duke e cilësuar atë pjesë të përpjekjeve të ndërmjetësuara nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e 4-ërt.
Sipas raportimeve, marrëveshja është arritur pas kontakteve mes Moskës, Washingtonit dhe Kievit, ndërsa palët kanë diskutuar edhe mundësinë e një armëpushimi më të gjerë në të ardhmen.
Në sfond të tensioneve të vazhdueshme, Rusia kishte shpallur më herët një armëpushim të njëanshëm për Ditën e Fitores më 9 maj, ndërsa Ukraina kishte propozuar një ndalim më të hershëm të luftimeve, i cili sipas saj nuk u pranua nga Moska.
Ndërkohë, autoritetet ruse kanë paralajmëruar kufizime të internetit mobil në Moskë dhe Shën Petersburg gjatë festimeve, për arsye sigurie, ndërsa parakalimi tradicional ushtarak në Sheshin e Kuq pritet të zhvillohet në një shkallë më të kufizuar se zakonisht.
Trump gjithashtu është shprehur i gatshëm të dërgojë një delegacion amerikan në Moskë nëse kjo do të ndihmonte procesin e paqes, duke theksuar se është i hapur për çdo hap që mund të kontribuojë në përfundimin e konfliktit.
