📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
Images

Dita e Dëshmorëve mblodhi së bashku, në një ceremoni të zhvilluar në Akademinë e Sigurisë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të institucioneve në varësi të saj, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, familjarë dhe të afërm të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës.

Të pranishmit nderuan veprën dhe kujtimin e 231 Dëshmorëve të Policisë, emrat e të cilëve janë gdhendur në memorialin që iu kushtohet atyre.

Gjatë ceremonisë, u mbajtën fjalët e rastit, në shenjë vlerësimi për aktin sublim të punonjësve të Policisë të rënë në krye dhe për shkak të detyrës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në fjalën e tij, u shpreh se 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe të Atdheut, është një ditë kur uniforma nuk shihet vetëm si detyrë, por si betim, si një vijë e padukshme mes jetës së zakonshme dhe sakrificës së jashtëzakonshme.

“Për çdo punonjës policie, kjo ditë është edhe pasqyrë, edhe thirrje. Pasqyrë për të parë se çfarë peshe ka uniforma që mbajmë. Dëshmorët tanë na mësojnë se uniforma nuk nderohet nga grada, por nga karakteri. Nuk ndriçon nga metali i stemës, por nga morali i njeriut që e mban”, u shpreh Hita.

“Në emër të Policisë së Shtetit, sot shpreh përuljen më të thellë për të gjithë punonjësit e Policisë që dhanë jetën në krye të detyrës. Për ata që u nisën në mëngjes me uniformë dhe nuk patën kohë të thoshin lamtumirë, por u kthyen në përjetësi me flamur, duke lënë pas një mesazh që nuk shuhet, se detyra kur vishet me ndershmëri, bëhet më e madhe se jeta”, tha Hita.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti theksoi se “është në nderin dhe detyrimin tonë moral të kujtojmë me respekt të thellë sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, për të mbrojtur jetën, rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Ata janë heronj që flijuan vetveten për idealin më të lartë, për këtë flamur, për Shqipërinë”.

“Kjo ditë e gjen Policinë e Shtetit më të fortë, më të përgatitur dhe një partnere të denjë të policive evropiane, në një moment kur vendi ynë ndodhet në hapat e fundit drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, një proces ku siguria dhe lufta kundër krimit të organizuar mbeten prioritete kyçe”, u shpreh ajo.

Gjatë ceremonisë, përkujtoi sakrificën e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit edhe Franc Zylyftari, i cili krenar për emrin që la pas i ati, dëshmori Arben Zylyftari, u shpreh se “dhimbja është e madhe dhe kthehet në një plagë e cila fle ndër vite, por vepra e tyre jeton në kujtesën tonë dhe në vlerat që ata përfaqësuan”.

“Sakrifica e tyre i bëri ata pjesë të historisë sonë, duke lënë pas një trashëgimi nderi dhe dinjiteti. Emrat e tyre janë të gdhendur përjetësisht në librin e historisë, si kujtesë e sakrificës sublime dhe si thirrje për të mos harruar kurrë ata që dhanë gjithçka për ne”, tha Franc Zylyftari.

Në përfundim të ceremonisë, të pranishmit vendosën kurora me lule në memorialin e ngritur për Dëshmorët e Policisë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights