Autori i aksidentit të rëndë që i mori jetën dy fëmijëve është paraqitur këtë të martë, më 5 maj, në Gjykatën e Durrësit, ku u mor vendimi lidhur me masën e sigurisë. Ai u la në “arrest me burg”.
57-vjeçari me inicialet N.R. ka dalë përpara gjykatës me kokën ulur dhe nuk ka thënë asnjë fjalë.
Në një prononcim të shkurtër përpara mediave pas seancës gjyqësore, avokatja e caktuar kryesisht ka deklaruar se masa “arrest me burg” ishte e pritshme.
Ajo po ashtu shtoi se pandehuri “Ka shprehur pendesë, ndihet i penduar, edhe sot dukej në gjendje të rënduar psikologjike.”
Sjellim ndërmend se ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 3 majit në lagjen nr. 15 të Durrësit. Tre fëmijë po luanin me top në trotuar, kur automjeti i drejtuar nga 57-vjeçari, i ka përplasur ndërsa po lëvizte me shpejtësi të lartë.
Si pasojë e aksidentit, dy fëmijë të moshave 12 dhe 10 vjeç humbën jetën, ndërsa një tjetër 8-vjeçar mbeti i plagosur rëndë, por arriti të mbijetojë.
57-vjeçari ka qenë drejtues problematik. Ai ishte ndëshkuar në vitin 2020 për parakalim të gabuar, ndërsa në vitin 2022 i ishte pezulluar dy herë nga 1 muaj leja e drejtimit për tejkalim të shpejtësisë.
Ai akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Pas arrestimit mbi ngjarjen, ai ka deklaruar para autoriteteve se në momentin e ngjarjes ka qenë në gjendje të dehur dhe nuk mban mend detaje nga ajo që ka ndodhur.
