Qeveria shqiptare ka vijuar këtë të mërkurë, më 29 prill, me komunikimin e vendimeve të marra në mbledhjen e saj më të fundit.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se në këtë mbledhje është ratifikuar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore, një hap që sipas tij forcon më tej mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Kjo marrëveshje përbën të 21-ën në kuadër të nismave të ndërmarra nga Shqipëria me shtetet ku ka një prani të konsiderueshme të diasporës, dhe të 10-ën me vendet e Bashkimit Europian.
“Në mbledhjen e sotme është ratifikuar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Polonisë, për sigurimet shoqërore. Kjo është marrëveshja e 21-të nga nismat që ka marrë Shqipëria me vendet ku ka diasporë të Shqipërisë. Është marrëveshja e 10-të me vendet e Bashkimit Europian. Shqipëria mbetet e angazhuar për ratifikimin e marrëveshjeve, në të gjitha ato vende ku ka diasporë të Shqipërisë.”
Malaj theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për avancimin dhe finalizimin e marrëveshjeve të ngjashme me të gjitha vendet ku jetojnë emigrantë shqiptarë, ndërsa nënvizoi gjithashtu se negociatat me qeverinë greke për një marrëveshje të tillë vijojnë me intensitet të lartë dhe pritet të përmbyllen në të ardhmen.
“ Sa i takon ecurisë dhe negociatave me qeverinë greke, ato janë negociata shumë intensive edhe me palën shqiptare. Jemi besimplotë që do e konkludojmë këtë marrëveshje, megjithëse ka një intensitet të lartë.”
