Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili kundërshton vendimin e shkallës së parë për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Veliaj e kundërshton këtë praktikë, duke argumentuar se ka qenë vazhdimisht i përfaqësuar nga avokati i tij dhe se afatet e paraburgimit nuk duhet të pezullohen në mënyrë kolektive për të gjithë të akuzuarit, për shkak të vonesave që lidhen me persona të tjerë.
Çështja ka nxitur debat më të gjerë në sistemin e drejtësisë, pasi praktika e pezullimit të afateve për të gjithë të pandehurit po konsiderohet problematike nga juristët. Avokatët kërkojnë rishikim të dispozitave në Kodi i Procedurës Penale, duke theksuar se kjo qasje mund të cenojë të drejtat individuale dhe të mbajë në paraburgim persona që nuk kanë përgjegjësi për zvarritjet e procesit.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masë sigurie “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij rëndojnë disa akuza, përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe shpërdorim detyre.
