Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri “Për sektorin e energjisë elektrike”, nismë e gjerë reformuese që synon rikonceptimin e plotë të funksionimit të tregut energjetik në Shqipëri dhe afrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian.
Dokumenti parashikon krijimin e një tregu funksional, konkurrues dhe të integruar, duke garantuar një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji për konsumatorët, çmime më transparente dhe një tranzicion gradual drejt një sistemi me emetime të ulëta karboni.
Në thelb të projektligjit qëndron përafrimi i plotë me Paketën e Energjisë së Pastër të BE-së, duke reflektuar katër aktet kryesore evropiane për energjinë elektrike.
Përmes këtij harmonizimi, Shqipëria synon të përmbushë detyrimet e saj në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të avancojë integrimin në tregun rajonal dhe atë evropian të energjisë. Ky hap konsiderohet thelbësor jo vetëm për përmbushjen e kritereve të integrimit, por edhe për modernizimin e sektorit dhe rritjen e besueshmërisë për investitorët.
Projektligji sjell një ndryshim të dukshëm të modelit aktual, duke kaluar nga një sistem më i centralizuar drejt një tregu të liberalizuar, ku roli i shtetit fokusohet në rregullim, mbikëqyrje dhe garantim të konkurrencës së ndershme.
Një nga shtyllat kryesore të reformës është vendosja e konsumatorit në qendër të sistemit energjetik. Për herë të parë, konsumatorët parashikohen si aktorë aktivë që mund të prodhojnë, konsumojnë dhe tregtojnë energji, duke përfituar nga modele të reja si komunitetet energjetike, kontratat me çmime dinamike dhe shkëmbimi i energjisë mes përdoruesve.
Në të njëjtën kohë, projektligji krijon bazën për zhvillimin e tregjeve moderne të energjisë, përfshirë tregun e ditës në avancë, tregun brenda ditës dhe atë të balancimit, të cilat mundësojnë formim më transparent të çmimeve dhe menaxhim më efikas të prodhimit dhe konsumit.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet fleksibilitetit të sistemit, sidomos në kushtet e rritjes së burimeve të rinovueshme, duke parashikuar mekanizma për balancimin e energjisë dhe sigurimin e kapaciteteve rezervë.
Një tjetër element i rëndësishëm është mbështetja për prodhimin e decentralizuar të energjisë dhe teknologjitë e reja, si depozitimi, dixhitalizimi dhe elektromobiliteti. Projektligji synon të krijojë kushte për zhvillimin e këtyre sektorëve, duke nxitur inovacionin dhe rritjen e efikasitetit energjetik.
Po ashtu, parashikohet ruajtja e mbrojtjes për kategoritë në nevojë, përmes çmimeve të rregulluara për familjarët dhe bizneset e vogla, në përputhje me standardet evropiane.
Reforma adreson edhe dimensionin ndërkufitar të tregut, duke vendosur rregulla për shkëmbimet e energjisë dhe bashkëpunimin rajonal. Ky integrim pritet të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të përmirësojë efikasitetin e tregut, duke e pozicionuar Shqipërinë si një aktor më aktiv në sistemin energjetik evropian.
Projektligji vlerësohet si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në sektorin energjetik në vitet e fundit, pasi nuk kufizohet vetëm në përditësimin e kuadrit ligjor ekzistues, por vendos themelet e një modeli të ri zhvillimi për tregun e energjisë elektrike.
Ai synon të rrisë konkurrencën, të përmirësojë cilësinë e shërbimit dhe të krijojë kushte më të favorshme për investime, duke kontribuar njëkohësisht në objektivat afatgjata të vendit për energjinë dhe klimën.
Miratimi i projektligjit është parashikuar gjatë vitit 2026 dhe mbështetet nga dokumente strategjike si Strategjia Kombëtare e Energjisë dhe Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës.
Në këtë kuadër, nisma shihet jo vetëm si një detyrim në procesin e integrimit evropian, por si një mundësi konkrete për transformimin e sektorit energjetik dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Objektivat kryesore janë forcimi i sigurisë energjetike, përmes diversifikimit të burimeve të prodhimit, uljes së varësisë nga hidroenergjia dhe reduktimit të varësisë nga importet; rritja e pavarësisë energjetike, duke zgjeruar kapacitetet vendase prodhuese dhe duke modernizuar rrjetin për të përballuar kërkesën në rritje; nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes promovimit të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe uljes së ndikimit mjedisor të sektorit; përmirësimi i efikasitetit ekonomik të sektorit, nëpërmjet liberalizimit të tregut të energjisë, rritjes së konkurrencës dhe tërheqjes së investimeve private; zhvillimi dhe modernizimi i infrastrukturës energjetike, për të mbështetur integrimin e burimeve të rinovueshme, reduktimin e humbjeve dhe rritjen e besueshmërisë së furnizimit; thellimi i integrimit rajonal dhe ndërkufitar, përmes forcimit të ndërlidhjeve dhe integrimit të tregut shqiptar me tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë; përmirësimi i efikasitetit të energjisë, nëpërmjet masave për kursimin e energjisë dhe përdorimin më racional të saj; si dhe rritja e ndërgjegjësimit publik dhe mbështetja e tranzicionit energjetik, përmes edukimit dhe promovimit të teknologjive të pastra”
