Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Në një letër drejtuar të gjitha bashkive të vendit, mediet raportojnë se, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u kërkon autoriteteve vendore të marrin masat paraprake për përcaktimin e qendrave të votimit që do të përdoren në pranverën e vitit 2027.
Sipas Kodit Zgjedhor, qendrat e votimit duhet të vendosen në ambiente publike, kryesisht në shkolla, qendra komunitare ose institucione shtetërore.
Në këtë kuadër, KQZ kërkon që ambientet e përzgjedhura të jenë të aksesueshme, të garantojnë neutralitet politik, qetësi dhe siguri gjatë procesit të votimit, si dhe të ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për dhomat e fshehta, vendosjen e kutive të votimit dhe pajisjet teknologjike. Po ashtu, kërkohet që këto ambiente të jenë të përshtatshme edhe për personat me aftësi të kufizuara.
KQZ u ka lënë një afat prej 10 ditësh 61 kryetarëve të bashkive për të përpiluar dhe dorëzuar listën e ambienteve që do të shërbejnë si qendra votimi.
Sipas Kodit Zgjedhor, periudha zgjedhore për zhvillimin e procesit elektoral është e përcaktuar mes datave 15 prill dhe 15 maj.
