Një ditë pasi u shënuan disa viktima, një prej të cilëve foshnjë 3-javëshe, Rusia i vijoi sulmet në portin e Odesës. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se Rusia sulmoi me 15 dronë Shahed, të prodhuar në Iran, dhe me tetë raketa. Mbrojtja ajrore ukrainase tha se i ka rrëzuar të gjitha. Megjithëse sulmi në Odesa u zmbraps, tre persona mbetën të plagosur.
“Të gjitha sulmet u zmbrapsën nga forcat e mbrojtjes ajrore. Zjarrfikësit po punojnë ende për shuarjen e zjarreve që kanë rënë në dy ndërtesat e prekura. Përveç kësaj, shumë dritare u thyen nga vala e shpërthimit. Disa makina të parkuara aty pranë u dëmtuan gjithashtu”, thanë autoritet lokale.
Ndërkohë, mediat turke kanë paralajmëruar një vizitë të Putin në Turqi në ditët në vijim. Kanali televiziv turk A Haber raportoi të shtunën se liderët turq dhe rus Rexhep Tajip Erdogan dhe Vladimir Putin mund të zhvillojnë bisedime në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit dhe nuk përjashtohet vizita e Erdoganit në Rusi. Data dhe vendi i bisedimeve të planifikuara midis presidentëve të Turqisë dhe Rusisë janë ende në diskutim, pala turke po llogarit në gusht, tha më vonë një burim nga administrata e liderit turk për RIA Novosti.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi më 14 gusht se 33 luftime të ashpra u bënë në sektorin Kupiansk në rajonin lindor të Harkivit. Në Donetsk, forcat ruse tentuan ta rimerrnin terrenin e humbur në zonën e Bahmutit, por u zmbrapsën, tha Shtabi i Përgjithshëm në raportin ditor, duke shtuar se mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi një helikopter ushtarak rus mbi Bahmut.
Në jug, forcat ruse bënë përpjekje të pasuksesshme për kundërsulm në sektorin Robotine në Zaporizhia, tha ushtria ruse, një ditë pas raportimeve se trupat ukrainase kishin arritur “sukses të pjesshëm” përreth Robotinës.
Një ditë ma parë 7 civilë u vranë nga granatimet ruse në jug të Ukrainës. Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko tha në rrjetin social Telegram se 20 të tjerë u plagosën, ndërsa u shkatërruan disa banesa. Vadim Rogov, një zyrtar i emëruar nga Rusia në pjesën e uzurpuar të rajonit ukrainas Zaporizhia, tha se forcat ukrainase kanë depërtuar nëpër vijat ruse dhe “kanë fituar terren” në pjesën jugperëndimore të rajonit të Donetsk.