Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë nisur protestën e nxitur nga fakti që nuk u lejohet ta mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare, pra shqipen.
Studentët kanë vendosur pankarta në qendër të Shkupit, me mbishkrime për të drejtat e tyre.
“Ligji në letër, diskriminim në praktikë”, shkruhet në një njërën prej pankartave, teksa një numër i madh kanë marrë pjesë.
Ky provim i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit juridik si avokat, gjyqtar apo prokuror, në praktikë zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase, edhe pse gjuha shqipe ka ligjërisht status zyrtar.
Argumenti i studentëve është se kjo situatë krijon një pengesë për ta dhe shumë pabarazi, pasi kufizon mundësitë e tyre profesionale dhe ndikon drejtpërdrejtë në përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor të vendit fqinj.
Kërkesat e tyre janë që provimi të zhvillohet plotësisht në shqip, me procedura të barabarta për të gjithë kandidatët dhe zbatim real të të drejtave gjuhësore të garantuara me ligj.
