Mësohet se kreu i qeverisë ka kërkuar ngritjen e emergjencave në nivel lokal, ndërsa ka vënë theksin te mbledhja dhe përpunimi i mbetjeve, sidomos në zonat turistike.
Në fokus është edhe Paketa e Maleve, puna për të cilën duhet të jetë e vrullshme nga ana e kryebashkiakëve, pasi kreu i qeverisë ka vënë një kusht për rikandidimin e tyre që lidhet pikërisht me këtë nismë.
Ditët e fundit, numri një i kabinetit qeveritar ka mbajtur disa takime me strukturat e Partisë Socialiste në kryeqytet, si një parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme vendore. Prioritet për mazhorancën në këtë mandat të katërt qeverisës mbetet edhe integrimi në Bashkimin Europian.
Më 21 mars, u mblodh për më shumë se 3 orë në Durrës Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, duke çelur zyrtarisht fushatën për garën brenda partisë. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, analizoi rezultatet zgjedhore të 2025-ës dhe vendosi afatet për të gjithë procesin e“riformatimit” të strukturave.
Rama la porositë për zgjedhjet e 2027-ës duke u ndalur te negociatat Shqipëri-BE, reforma në drejtësi, administrata, shërbimet e veçanërisht te qarku i Tiranës!
Fushata pritet të përmbyllet më 12 qershor 2026, duke shënuar edhe 35-vjetorin e Partisë Socialiste, me fokus dialogun me bazën dhe organizimin e brendshëm.
Sa i takon kryebashkiakëve, Rama e ka qartësuar herë pas here se nuk do të ketë asnjë kandidat që do të marrë miratimin për të rikandiduar, pa 10 kontrata të firmosura në kuadrin e Paketës së Maleve dhe pa 3 ndërmarrje të përbashkëta.